Barcelona është e gatshme të shqyrtojë mundësinë e huazimit të mesfushorit Marc Casado nëse ai kërkon të largohet në kërkim të minutave të rregullta të lojës, përpara mbylljes së afatit kalimtar të janarit, raporton Mundo Deportivo.

Talenti i dalë nga akademia, i cili pati një sezon shpërthyes vitin e kaluar, ka parë një rënie të ndjeshme të hapësirave këtë edicion dhe pritet të përballet me konkurrencë edhe më të madhe me rikthimin e afërt të Gavit nga lëndimi.


Casado ishte konsoliduar si titullar sezonin e kaluar, në një periudhë kur Marc Bernal po rikuperohej nga një dëmtim i rëndë në ligament dhe Frenkie De Jong ishte jashtë fushave. Megjithatë, dhjetë muajt e fundit kanë qenë të vështirë për mesfushorin.

Me rikthimin e De Jong në formë të plotë, Casado ka grumbulluar vetëm 786 minuta në 18 paraqitje në të gjitha garat, duke mbetur pas Pedrit, De Jongut, Eric Garcias dhe Bernalit në hierarkinë e mesfushës.

Transferimi i Joao Cancelo gjithashtu e përjashton çdo mundësi që Casado të përdoret si alternativë në krahun e djathtë të mbrojtjes.

Edhe pse stafi teknik i drejtuar nga Hansi Flick nuk ka ndërmend ta shtyjë lojtarin drejt largimit, klubi nuk do t’i vendoste pengesa nëse do të vinte një ofertë e përshtatshme dhe lojtari do të shprehte dëshirën për t’u larguar.

Sipas raportit, Casado ka refuzuar oferta gjatë verës dhe deri më tani nuk ka treguar asnjë prirje për të kërkuar largimin, çka e bën të pamundur një dalje nga klubi para fundit të këtij muaji./Telegrafi/

telegrafi sport app