Digjet stadiumi i një klubi evropian pas rënies nga liga, një i mitur i vuri flakën

E gjithë tribuna e stadiumit "Factory Field" në qytetin Valkeakoski të Finlandës është shkrumbuar plotësisht, pasi një grup të miturish shkaktuan një zjarr që doli jashtë kontrollit.
Stadiumi është shtëpia e klubit historik Haka, një emër i madh i futbollit finlandez me nëntë tituj kampion, por që aktualisht po kalon një periudhë mjaft të vështirë pas rënies nga elita.
Zjarri shpërtheu të dielën mbrëma dhe brenda pak minutash përfshiu të gjithë tribunën kryesore, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Policia arrestoi tre adoleshentë lidhur me incidentin, ndërsa një 15-vjeçar ka pranuar se ishte ai që ndezi zjarrin. Sipas ligjit finlandez, të miturit nën moshën e përgjegjësisë penale nuk pritet të përballen me akuza.

Dëmet janë të konsiderueshme: tribuna është shkatërruar plotësisht, ndërsa edhe fusha me bar artificial është dëmtuar ndjeshëm nga nxehtësia dhe rrënojat.
Presidenti i klubit, Marko Larsson, shprehu zhgënjimin e tij për ngjarjen, por deklaroi se kanë marrë përkrahje nga njerëzit.
“Sigurisht që nuk kishim nevojë për këtë – kjo është e qartë. Tashmë kemi marrë shumë mbështetje nga njerëzit dhe do të na duhet edhe në të ardhmen. Ende nuk e kemi vlerësuar dëmin, por është shumë i konsiderueshëm”, deklaroi ai.

Edhe drejtori ekzekutiv, Olli Huttunen, u shpreh i tronditur, duke e quajtur sjellje skandaloze.
“Kjo është tronditëse, veçanërisht kur mendon se sa e rëndësishme është Factory Field në futbollin finlandez. Ky lloj sjelljeje, ku nuk të intereson prona e të tjerëve, është skandaloze. Fatkeqësisht, kështu është bota”, ka thënë Huttunen.
Pas përfundimit të hetimeve, tribuna e dëmtuar do të shembet plotësisht dhe do të zëvendësohet me një strukturë të re. Nga tribunat aktuale do të mbetet vetëm korniza metalike. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com


















































