Gazetari Sami Curri ka bërë të ditur se në orët e para të mëngjesit i është djegur qëllimisht automjeti, vetëm pak metra larg banesës së tij në Bulqizë.

Në një reagim publik, ai ka deklaruar se ngjarja nuk është aksidentale.


“Sot, rreth orës 02:45 të mëngjesit, vetëm pak metra larg banesës sime në Bulqizë, është djegur qëllimisht makina ime… nuk bëhet fjalë për një zjarr aksidental, por për një akt të pastër dhe të paramenduar”, ka shkruar Curri.

Gazetari, i cili prej rreth 10 vitesh ushtron profesionin dhe është themelues i medias lokale Bulqizaime.al, e ka lidhur incidentin drejtpërdrejt me aktivitetin e tij profesional.

“Ngjarja e ndodhur është e lidhur drejtpërdrejt me punën time si gazetar… ky është një mesazh frikësimi”, ka theksuar ai.

Megjithatë, Curri ka bërë të qartë se nuk do të tërhiqet nga puna e tij.

“Ata që e kanë bërë këtë akt nuk do të arrijnë të më kërcënojnë apo të më ndalin… gazetaria për mua është mision në shërbim të publikut”, është shprehur ai.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të hetojnë rastin dhe të zbardhin plotësisht ngjarjen, duke identifikuar dhe ndëshkuar autorët. /Telegrafi/