LAJMI I FUNDIT:

Dialogu Kosovë-Serbi, Weber: Pa Bidenin e Scholzin, Lajçaku i kotë

Dialogu Kosovë-Serbi, Weber: Pa Bidenin e Scholzin, Lajçaku i kotë

Miroslav Lajçak do të mbajë edhe për dy vite tjera postin e të Dërguarit të Posaçëm evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Vazhdimin e mandatit deri më 31 gusht 2024 të diplomatit sllovak e pajtuan 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Lajçak ka deklaruar se për 24 muajt e ardhshëm mundësitë janë reale që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.


Mbi këtë ka folur Bodo Weber nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit me bazë në Berlin të Gjermanisë.

“Nëse e gjithë politika BE-ShBA bie në nivelin e përfaqësuesve të posaçëm, siç është Lajçak,  kjo përfundimisht nuk do të jetë e mjaftueshme për të që paralajmërimi i bërë po nga ana e tij të bëhet realitet”, tha ai për Klan Kosovën.

“Kancelari gjerman me vizitën e tij kohëve të fundit që e kishte në Prishtinë dhe Beograd ka treguar se do që të ketë rol më aktiv në proces. Por kjo është  shumë larg nga nisma e marrjes së lidershipit. Kjo mund të jetë e suksesshme vetëm nëse vjen nga kancelari Olaf Scholz dhe presidenti Joe Biden”, shtoi Weber që është një nga studiuesit kryesor gjermanë për zhvillimet e dialogut.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kanë shkëmbyer në distancë akuza të forta.

Kurti që po qëndron në Washington tha për “Zëri i Amerikës” se është Vuçiq ai për shkak të cilit dështoi takimi i planifikuar të mbahej më 19 korrik në Bruksel. Sipas tij, lideri në Beograd është satelit i Rusisë e s’do ujdi me njohje.

Kurse Vuçiq tha të enjten mbrëma në intervistë për televizionin “Pink” se takime me palën e Kosovës mund të ketë, por “marrëveshje jo derisa Kurti është në pushtet”.

Liderët e dy vendeve për herë të fundit nën formatin e Brukselit u takuan më 19 korrik të vitit 2021.