LAJMI I FUNDIT:

Dialogu Kosovë-Serbi, Petritsch: Shpresoj që administrata e presidentit Biden të vazhdojë udhëheqësinë, ekipi i tij është i angazhuar për zgjidhje konstruktive

Dialogu Kosovë-Serbi, Petritsch: Shpresoj që administrata e presidentit Biden të vazhdojë udhëheqësinë, ekipi i tij është i angazhuar për zgjidhje konstruktive
Foto: Arkiv

Diplomati Wolfgang Petritsch ka thënë se dialogu i brendshëm me serbët në Kosovë, është çelës për një zgjidhje të qëndrueshme me Serbinë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Petritsch ka thënë se nuk pret rezultat substancial në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë më 2024, për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.


Në këtë drejtim, diplomati austriak shpreson që administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, të vazhdojë udhëheqësinë, sepse beson që ekipi i tij është i angazhuar për zgjidhje të drejtë.

Ndër tjerash, Petritsch ka thënë se incidenti i këtij viti në Banjskë të Kosovës duhet të shërbejë si mësim për rritje të vigjilencës në fushën e sigurisë, e cila do të ketë prioritet në vitin që vjen.

Ai ka bërë thirrje për përparim në procesin e dialogut, me arsyetimin se çdo zvarritje e procesit rrezikon përkeqësim të situatës.

I pyetur rreth deklaratave të liderëve të Kosovës se ky vit ka qenë më sfiduesi në aspektin e sigurisë, qysh prej pavarësisë, duke marrë shkak sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, ai tha “Kjo ka qenë, padyshim, një pikë e ulët në marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Dhe, nuk po flas vetëm për dialogun, për të cilin, fatkeqësisht, viti 2023 nuk ka qenë më i suksesshmi. Mendoj që incidenti në Banjskë do ta fokusojë vëmendjen në sigurinë dhe aspektin ushtarak në vitin e ardhshëm, kur është fjala për marrëdhëniet ndërmjet të dyja palëve”.

Petritsch po ashtu është përgjigjur edhe rreth deklaratave për rrezikun rreth sulmit të Serbisë ndaj Kosovës.

“Ne jemi të lehtësuar që situata nuk është përshkallëzuar, ndonëse ka pasur potencial. Mirëpo, kjo na tregon se ekziston rrezik i madh që bisedimet e gjata dhe të vazhdueshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilat lehtësohen nga Bashkimi Evropian, të mos vazhdojnë më, ose të mos e kenë rëndësinë që e kanë pasur në të kaluarën.

Në këtë aspekt, viti 2023 ka qenë njëmend vendimtar. Unë besoj që nëse nuk shfrytëzohet viti 2024, për ta nxitur BE-në dhe Beogradin e Prishtinën, që të mendojnë seriozisht për një qasje të re, atëherë nuk jam i sigurt nëse në vitin 2025 – pasi të kenë përfunduar zgjedhjet e vitit të ardhshëm – të ketë përparim substancial.

Më pas, më 2025, kur të kemi Komisionin e ri në Bruksel dhe kur të kemi administratën e re në Uashington – shpresoj që do të ketë vazhdimësi të administratës [së presidentit Joe] Biden – atëherë do të jetë momenti i ri për të rinisur dialogun.

Por, e gjithë kjo duhet të bazohet në përvojën e dhjetë, apo më shumë vjetëve të fundit, dhe të merren parasysh masat që janë marrë në incidentet e kaluara, duhet rishikim i metodologjisë së procesit të ndërmjetësimit. Besoj se nuk mund ta shohim dialogun të izoluar prej negociatave për anëtarësim, sidomos bisedimet e Serbisë për anëtarësim në BE”, ka thënë ai.

Ai thotë më tej se duhet bërë më shumë për Kosovën dhe popullatën e saj, për ta parë më afër anëtarësimin në Bashkimin Evropian, që natyrisht do të marrë vite, mirëpo duhet kombinuar procesin e anëtarësimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Kjo besoj që duhet të bëhet më e qartë. Për t’i motivuar negociatat në të dyja palët, qeveritë e të dyjave duhet të trajtojnë më me seriozitet procesin, dhe të mos zhyten nëpër konflikte, që nuk janë as në interes të Serbisë dhe as të Kosovës. Ne duhet të mendojmë më gjerësisht. Besoj se problemi qëndron në faktin që situata globale ka ndryshuar në mënyrë dramatike, dhe papritmas ka më pak vëmendje në konfliktet e vogla dhe të vazhdueshme, sikurse ato mes Kosovës dhe Serbisë. Po u referohem konflikteve të mëdha sikurse lufta e Rusisë në Ukrainë, lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Lindje të Mesme. Këto janë pika të mëdha konflikti të vitit 2024”, tha ai.

Ai po ashtu është pyetur lidhur me atë nëse administrata Biden në Shtetet e Bashkuara është më e favorshme për dialogun Kosovë-Serbi.

“Po, mendoj se administrata Biden dhe ekipi i presidentit Biden janë më të interesuar për zgjidhje konstruktive. E kemi parë në të kaluarën administratën e [Donadl] Trumpit, zotin [Richard] Grenell, duke ndërmarrë veprime, që thjesht nuk ishin në interes të zgjidhjes së drejtë të konfliktit.

Komuniteti ndërkombëtar, sidomos Bashkimi Evropian, duhet të ketë këtë lloj lirie për të gjetur zgjidhje evropiane për konfliktin. E thashë edhe më herët që duhet të shihet i gjithë procesi i anëtarësimit të rajonit, duhet të analizohet siguria e gjithë Ballkanit Perëndimor si tërësi. Pjesa e rëndësishme është që si Serbia, ashtu edhe Kosova, duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Prandaj, vetëm një zgjidhje evropiane është realizueshme.

Kjo zgjidhje, më pas, do t’iu japë fund dy konflikteve të mëdha historike që datojnë prej rënies së ish-Jugosllavisë. Kjo është e mundshme. Mendoj se çështja e Kosovës është më e lehtë, sesa ajo e Bosnje e Hercegovinës, sepse popullsia është e ndarë, ka shumicë dhe popullsi pakicë në veri të Kosovës. Prandaj, zgjidhja është më e lehtë sesa trekëndëshi që ekziston në Bosnje e Hercegovinë, në mes të tri komuniteteve etnike, dhe situata është më e vështirë dhe më komplekse për të gjetur zgjidhje.

Një tjetër gjë që duhet thënë është se për Kosovën duhet të gjendet një zgjidhje më e mirë sesa ajo e vitit 1995 për Bosnjën. Duhet të jetë më kualitative, më e drejtë, dhe sistemi qeverisës duhet të mendohet vërtet mirë.

Definitivisht ne nuk e duam edhe një Republika Srpska në Kosovë, dhe ky model është përjashtuar nga komuniteti ndërkombëtar. Nuk duhet përsëritur gabimi i njëjtë në Kosovë. Duhet të gjendet një zgjidhje më e drejtë për minoritetin serb. Kjo është në interes të madh të Prishtinës, andaj nuk duhet të parandalohet një sukses, duke qenë shumë të ashpër me gjërat që duhet të jenë më fleksibile në këtë traktat eventual të normalizimit”, tha ndër të tjera Petritsch. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Zhdukja e nënës me tre fëmijët në Shkodër, policia arreston bashkëshortin - dyshohet të jenë mbytur për shkak të dhunës

Zhdukja e nënës me tre fëmijët në Shkodër, policia arreston bashkëshortin - dyshohet të jenë mbytur për shkak të dhunës

Lajme
Axhanqiq: Unë takohem me Kurtin hapur, të tjerët fshihen

Axhanqiq: Unë takohem me Kurtin hapur, të tjerët fshihen

Lajme
Ulqini gati për sezonin e ri, drejtues të komunës dhe biznesmen flasin për çmimet dhe investimet

Ulqini gati për sezonin e ri, drejtues të komunës dhe biznesmen flasin për çmimet dhe investimet

Lajme
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Lajme
Spahoviq: Nuk mund të pritet qeveri proevropiane nga Vuçiqi, idetë e Millosheviqit janë ende të gjalla

Spahoviq: Nuk mund të pritet qeveri proevropiane nga Vuçiqi, idetë e Millosheviqit janë ende të gjalla

Lajme
Rrahet anketuesi i regjistrimit të popullsisë, policia arreston tre të dyshuarit në Pejë

Rrahet anketuesi i regjistrimit të popullsisë, policia arreston tre të dyshuarit në Pejë

Lajme
Kalo në kategori