Radiologia Shkëndije Nuza gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", nga United Hospital ka folur për një nga sfidat më të ndjeshme dhe më të rëndësishme në mjekësi: komunikimin me pacientin në momentet kur ekziston dyshimi për kancer.

Ajo ka theksuar se roli i radiologut nuk është vetëm identifikimi i ndryshimeve në trupin e pacientit, por edhe mënyra se si këto informata përcillen, duke ruajtur profesionalizmin dhe ndjeshmërinë.




“Po ta diagnostikosh në fazën e hershme dhe vet pacientit t’i thuash që je me kancer... duhet të gjesh mënyrën se si duhet t’i thuash pacientit”, ka thënë Nuza, duke theksuar se një komunikim i tillë duhet të bëhet me shumë kujdes.

Sipas saj, përgjegjësia e radiologut është të shpjegojë me qartësi çdo ndryshim të vërejtur në trupin e pacientit, por pa nxjerrë përfundime përfundimtare pa prova laboratorike. Ajo thekson se procesi diagnostikues është i strukturuar dhe kërkon respektim të rreptë të procedurave.

“Radiologu ka për detyrë që t’ia sqarojë ndryshimin në trupin e pacientit. Kur t’i thuash pacientit që duhet të bëjë biopsi dhe pyetja e parë që vjen është ‘a është kancer’, nuk mund t’i thuash pacientit që është kancer përderisa është mikroskopi ai që e vendos se cili lloj është dhe çfarë lloji është”, ka shpjeguar ajo.

Nuza nënvizon se vetëm analiza mikroskopike – pra biopsia – e konfirmon natyrën e qelizave dhe përcakton llojin e saktë të sëmundjes. Deri atëherë, radiologët bazohen në imazhe dhe ndryshime që mund të sugjerojnë shumëçka, por nuk mund të përdoren për një diagnozë përfundimtare.

“Këto janë procedura të cilat hap pas hapi duhet t’i ndjekësh”, ka thënë radiologia, duke theksuar rëndësinë e protokolleve dhe të komunikimit etik me pacientët.

Për më shumë shikoni të plotë "shëndeti në rend të parë":

- YouTube www.youtube.com