Edhe pse ende nuk ka kurë për diabetin e tipit 1, shkenca po përparon në parandalimin e dëmtimit të qelizave të pankreasit. Me trajtimin e duhur, insulinën dhe kujdesin e vazhdueshëm, pacientët mund të jetojnë një jetë të plotë dhe aktive

Dr. Erëza Y. Durmishi,
PhD Candidate- Mjekësi Klinike


Diabeti është një sëmundje kronike që ndodh ose kur pankreasi nuk prodhon insulinë të mjaftueshme ose kur trupi nuk mund ta përdorë në mënyrë efektive insulinën që prodhon. Insulina është një hormon që rregullon sheqerin (glukozën) në gjak. Diabeti i tipit 1, dikur quhej diabet i varur nga insulina ose diabet juvenil. Shpesh zhvillohet tek fëmijët apo adoleshentët por mund të ndodhë në çdo moshë. Karakterizohet nga prodhim i pamjaftueshëm i insulinës dhe si i tillë kërkon administrim të përditshëm të insulinës.

Pa insulinë, sheqeri në gjak nuk mund të hyjë në qeliza dhe grumbullohet në qarkullimin e gjakut. Sheqeri i lartë në gjak është i dëmshëm për trupin dhe shkakton shumë simptoma dhe nëse nuk menaxhohet ndodhin ndërlikime. Këto simptoma mund të shfaqen papritur dhe përfshijnë:

▪ Ndjenjë e etjes
▪ Urinim i shpeshtë
▪ Urinim në shtrat tek fëmijët që nuk e kanë lagur kurrë shtratin gjatë natës
▪ Ndjenjë e madhe urie
▪ Humbje peshe, pa arsye
▪ Irritim ose ndryshime të tjera të humorit
▪ Ndjenjë lodhjeje dhe dobësie
▪ Shikim i turbullt

Nëse vini re ndonjë nga simptomat e mësipërme fëmija juaj ose tek ju, flisni menjëherë me një ofrues të kujdesit shëndetësor.


Kush e shkakton Diabetin e tipit 1?

Shkaku i saktë i diabetit të tipit 1 është i panjohur. Zakonisht, sistemi imunitar i trupit, i cili normalisht lufton bakteret dhe viruset e dëmshme, sulmon beta-qelizat e pankreasit. Faktorë që mund të ndikojnë janë gjenetika, ekspozimi ndaj viruseve dhe faktorëve të tjerë mjedisorë.

Rreziqet dhe grupet më të ndjeshme

Diabeti i tipit 1 ndodh më shpesh tek fëmijët dhe të rinjtë, por mund të zhvillohet në çdo moshë. Të kesh një prind ose vëlla/motër me diabet të tipit 1 rrit mundësinë e zhvillimit të sëmundjes. Njerëzit e diagnostikuar me diabet të tipit 1 e kanë sëmundjen për gjithë jetën. Diabeti i tipit 1 mund të shfaqet në çdo moshë, por më shumë shfaqet në dy periudha caktuara tek fëmijët midis 4 dhe 7 vjeç dhe tek fëmijët midis 10 dhe 14 vjeç.

Cilat janë komplikimet e Diabetit të tipit 1?

Diabeti I pa menaxhuar, ose jo i menaxhuar mirë shkakton komplikime të cilat mund të çojnë në paaftësi ose madje të kërcënojnë jetën tuaj, ndër to:

Sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut. Diabeti rrit rrezikun e disa problemeve me zemrën dhe enët e gjakut. Këto përfshijnë sëmundjen e arteries koronare me dhimbje gjoksi (anginë), atak në zemër, goditje në tru, ngushtim të arterieve (arterosklerozë) dhe presion të lartë të gjakut.

Dëmtim nervor (neuropati). Shumë sheqer në gjak mund të dëmtojë muret e enëve të vogla të gjakut (kapilarët) që ushqejnë nervat, veçanërisht në këmbë. Kjo mund të shkaktojë ndjesi shpimi gjilpërash, mpirje, djegie ose dhimbje. Zakonisht fillon në majat e gishtërinjve të këmbëve ose të duarve dhe përhapet lart. Sheqeri në gjak i kontrolluar dobët mund të shkaktojë humbjen e të gjithë ndjesisë në gjymtyrët e prekura me kalimin e kohës. Dëmtimi i nervave që ndikojnë edhe në sistemin tretës duke shkaktuar të përziera, të vjella, diarre ose kapsllëk. Për burrat, mosfunksionimi erektil mund të jetë një problem.

Dëmtimi i veshkave (nefropatia). Dëmtimi i rëndë mund të çojë në dështim të veshkave ose sëmundje të veshkave në fazën e fundit që nuk mund të kthehet mbrapsht. Sëmundja e veshkave në fazën e fundit duhet të trajtohet me filtrim mekanik të veshkave (dializë) ose me transplant të veshkave.

Dëmtimi i syve. Diabeti mund të dëmtojë enët e gjakut në retinë (pjesa e syrit që ndjen dritën) (retinopati diabetike). Kjo mund të shkaktojë verbëri. Diabeti gjithashtu rrit rrezikun e gjendjeve të tjera serioze të shikimit, siç janë katarakti dhe glaukoma.

Dëmtimi i këmbëve. Dëmtimi i nervave në këmbë ose rrjedhja e dobët e gjakut në këmbë rrit rrezikun e disa komplikimeve të këmbëve. Nëse nuk trajtohen, prerjet dhe flluskat mund të progredojnë në infeksione serioze. Këto infeksione mund përfundojnë me heqjen e gishtërinjve të këmbës apo këmbës (amputim).

Gjendjet e lëkurës dhe gojës. Diabeti mund t'ju lërë më të prirur ndaj infeksioneve të lëkurës dhe gojës. Këto përfshijnë infeksione bakteriale dhe kërpudhore, sëmundje të mishrave të dhëmbëve dhe gojë të thatë .

Komplikime të shtatzënisë. Nivelet e larta të sheqerit në gjak mund të jenë të rrezikshme si për nënën ashtu edhe për foshnjën. Rreziku i abortit, lindjes së foshnjës së vdekur dhe defekteve të lindjes rritet kur diabeti nuk kontrollohet mirë. Për prindin, diabeti rrit rrezikun e ketoacidozës diabetike, problemeve diabetike të syve (retinopatisë), tensionit të lartë të gjakut të shkaktuar nga shtatzënia dhe preeklampsisë.

Si bëhet trajtimi i Diabetit të tipit 1?

Edhe pas shumë kërkimesh, diabeti i tipit 1 nuk ka kurë. Kërkuesit shkencorë po punojnë vazhdimisht për parandalimin e sëmundjes ose dëmtimit të mëtejshëm të qelizave të ishullit tek njerëzit që janë diagnostikuar rishtazi. Stresi i menaxhimit të diabetit të tipit 1 mund t’i bëjë disa njerëz më të prirur të zhvillojnë probleme me gjumin, çrregullime të ankthit dhe depresion, për të cilat rekomandohet ndihma profesionale.

Nëse keni diabet të tipit 1, do t'ju duhet të merrni insulinë për të menaxhuar nivelin e glukozës në gjak dhe të konsultoheni vazhdimisht me profesionistët shëndetësorë për në menaxhimin adekuat të diabetit. Përdorimi i pajisjeve për të kontrolluar nivelin e glukozës në gjak dhe për të injektuar insulinë mund të ndihmojë në mbajtjen e nivelit të glukozës në gjak nivelin e duhur.

Pra, trajtimi drejtohet drejt menaxhimit të sasisë së sheqerit në gjak duke përdorur insulinën, dietën dhe stilin e jetës për të parandaluar ndërlikimet. /Telegrafi/