LAJMI I FUNDIT:

Dhunimi i 11 vjeçares në Prishtinë, KOMF kërkon ashpërsimin e dënimeve për kryerësit e këtyre veprave penale

Dhunimi i 11 vjeçares në Prishtinë, KOMF kërkon ashpërsimin e dënimeve për kryerësit e këtyre veprave penale

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF i cili përfaqëson 34 organizata jo qeveritare, ka mbajtur sot një konferencë të jashtëzakonshme lidhur me rastin e dhunimit të vajzës 11 vjeçare që ndodhi të shtunën në Prishtinë.

KOMF shprehu shqetësimin e thellë karshi neglizhimit, mosveprimit të institucioneve dhe performancës së dobët të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, në parandalimin e situatave të sulmeve dhe abuzimeve seksuale ndaj fëmijëve dhe trajtimin e rasteve ku fëmijët janë viktima të abuzimit seksual.


Kjo organizatë gjithashtu shprehu indinjatën e thellë lidhur me krijimin e kulturës së mos ndëshkimit të kryerësve të veprave të krimeve seksuale kundrejt fëmijëve, të kultivuar në radhë të parë nga vetë institucionet e mandatuara për mbrojtjen e fëmijëve.

“Kjo kulturë ka stimuluar një mjedis social të pasigurt e të rrezikshëm, ku shkelja e të drejtave themelore të fëmijëve, cenimi i integritetit të tyre fizik, moral dhe seksual, bëhet fenomen i zakonshëm e jo përjashtim. Viteve të fundit ka pasur rritje të vazhdueshme të numrit të rasteve të veprave kundër integritetit seksual të fëmijëve sikurse dhunimi, sulmi seksual, degradimi i integritetit seksual dhe keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi. Përkatësisht, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në vitin 2021 janë shënuar 249 raste kundër integritetit seksual të fëmijëve”, thuhet në njoftimin për media.

KOMF thekson se veprat penale kundër integritetit seksual të fëmijëve janë duke ndodhur në ambiente si familje, komunitet, madje edhe në institucionet e mandatuara për mbrojtje të fëmijëve, si për shembull në institucione edukative, shkolla, etj.

“Sipas të dhënave nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës 34.4% e raportimeve të nxënësve tregojnë se në shkolla ka mësimdhënës që ngacmojnë seksualisht, përderisa në sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim nuk është raportuar asnjë rast i ngacmimit apo abuzimit seksual, në asnjë shkollë të Kosovës. Kjo tregon që sistemi i parandalimit dhe i raportimit brenda shkollave nuk është duke funksionuar”, thuhet në njoftim.

Rastet e abuzimeve seksuale të fëmijëve dëshmojnë dhimbshëm jo vetëm ngathtësinë dhe mefshtësinë e sistemit të mbrojtjes së fëmijës viktimë e abuzimit seksual, por edhe mungesë të theksuar të seriozitetit të gjithë sistemit të drejtësisë, në trajtimin dhe ndëshkimin e kryerësve të abuzimit seksual me fëmijët.

Pesë persona dyshohet se dhunuan një femër në Prishtinë – arrestohen dy prej tyre
Lexo po ashtu Pesë persona dyshohet se dhunuan një femër në Prishtinë – arrestohen dy prej tyre

“Marrë parasysh rastet e shumta që janë raportuar dhe bërë mediatike së fundmi, përfshirë këtu edhe rastet që kanë përfunduar me fatalitet pikërisht për shkak të dështimit të institucioneve të sistemit prokurorial dhe gjyqësor, ne kemi pritur reagim institucional nga niveli më i lartë, me qëllim reflektimi, mobilizimi dhe llogaridhënieje për mungesë performancë në nivel të përgjegjësisë, të të gjithë akterëve të sistemit të mbrojtjes së fëmijës. Mosveprimi perceptohet si indiferencë e kjo reflekton negativisht tek ofruesit e mbrojtjes në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe përgjegjësisë”, thuhet më tej në njoftimin për media.

KOMF ka kërkuar auditimin e trajtimit nga institucionet shtetërore të rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve, përfshirë trajtimin e kryesve të veprave penale që kanë të bëjnë me dhunë seksuale, gjatë pesë viteve të fundit;

Krijimin e databazës së personave të dënuar për vepra penale kundër integritetit seksual të fëmijëve dhe rrjedhimisht ndalimin e qasjes së tyre tek fëmijët, sipas modeleve ekzistuese në hapësirën Evropiane, duke u bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës;

Ashpërsimin e dënimeve që shqiptohen ndaj kryerësve të veprave penale kundër integritetit seksual brenda limiteve të përcaktuara me Kodin Penal;

Ofrimin urgjent të trajtimit dhe mbrojtjes adekuate për të gjithë fëmijët, viktima të ngacmimit apo abuzimit seksual;

Përgjegjësi penale nga të gjithë profesionistët e mandatuar për mbrojtje të fëmijës, në rast dështimi gjatë ushtrimit të obligimit ligjor për trajtimin efikas të këtyre rasteve.

“Mbesim në pritje të veprimeve urgjente të institucioneve të Republikës së Kosovës për trajtimin e situatave të veprave kundër integritetit seksual të fëmijëve. KOMF është i hapur për të bashkëpunuar me institucionet përkatëse, në përpjekjet e përbashkëta për të garantuar jetë të sigurtë, të shëndetshme dhe dinjitoze për të gjithë fëmijët”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/