Dhjetë të akuzuar në “rastin Bllaca”

“Koha Ditore” ka mësuar përmbajtjen e aktakuzës në “rastin Bllaca” e cila pritet të ngritët brenda kësaj jave, në krye të së cilës do të jetë zyrtari i lartë i PDK-së, Azem Syla, i njohur me nofkën “Daja”.
Në këtë aktakuzë do të jenë të ndara tri vepra të rënda penale: vrasje e rëndë, vrasje e rëndë në tentativë dhe krim i organizuar. Secili nga dhjetë të akuzuarit do ta gjejë vetën në të paktën dy nga këto vepra.
Burimet e gazetës kanë thënë se për vrasje të rëndë do të akuzohen, Nazim Bllaca, Sadik Abazi, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Sadik Abazi, Bekim Syla dhe Driton Hajdari.
“Në aktakuzën që pritet të ngrihet shpejt e që është në finalizim janë të përfshira dy vrasje. Për vrasjen e Ibush Kllokoqit në gusht të 1999-s akuzohen Nazim Bllaca, Fahredin Gashi, Bekim Syla, Sadik Abazi dhe Shpresim Uka”, ka thënë burimi.
Për vrasjen e Selim Broshës, e cilësuar po ashtu si vrasje e rëndë akuzohen Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Nazim Bllaca, Driton Hajdari, Bekim Syla dhe Sadik Abazi. “Këta gjashtë persona akuzohen se e kanë menaxhuar gjithë aktin e vrasjes së Selim Broshës tek ‘Qafa’ në Prishtinë”, ka thënë burimi i gazetës brenda prokurorisë.
Të hënën, ditën kur është mbushur një vit nga dalja publike e Nazim Bllacës i cili pati marrë mbi vete të paktën 17 vepra të rënda penale përfshirë vrasjen e disa qytetarëve, ka thënë se aktakuza tashmë është gati. Sipas burimeve të gazetës pritet të rregullohen edhe disa finesa para se ajo të ngrihet nga prokurori Maorizio Salustro.
Më 29 nëntor të vitit të kaluar Nazim Bllaca nga Ribari i Madh i Lypjanit, pati dalë në pikë të ditës para Kuvendit të Kosovës duke rrëfyer publikisht për krime të kryera në llogari të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), shërbim ky i afërt me Partinë Demokratike të Kosovës të Hashim Thaçit. Krejt ftohtë, Bllaca tregonte se si janë vrarë njerëzit, plagosur, rrahur, përndjekur me porosi të SHIK-ut sipas tij.
Të martën në orën 21:30 skadon masa e fundit e arrestit shtëpiak për Nazim Bllacën. Sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës pas kësaj date atij nuk mund t’i caktohet më kurrfarë mase pa u ngritur aktakuza pasi që sipas ligjit procedurat hetimore nuk mund të zgjasin më shumë se një vit.





















































