LAJMI I FUNDIT:

Dhembje për Gëzimin

Dhembje për Gëzimin

Gëzim Arifi, 19 vjeç, vdiq – derisa ishte duke punuar në ndërtimtari në Zhabar – pas rrëzimit të një muri.

Në varrimin e tij , përveç qytetarëve të shumtë nuk merr pjese asnjë nga zyrtarët lokalë apo qendror.


Dhimbja dhe pikëllimi ndihej kudo: një djalë i ri po mbuloj me dhe.

Çdo vdekje është dhimbje, por kjo e Gëzimit merr tjetër konotacion për vet mënyrën e vdekjes së tij. Në shtetet normale një vdekje e tillë do pasonte edhe me dorëheqje te zyrtarëve kompetentë për mos zbatimin e Ligjit të Punës: Ligjit që është miratuar më 2 nëntor 2010 dhe ka hyrë në fuqi më 16 dhjetor 2011 e që asnjëherë nuk zbatohet.

Disa punëtorë vazhdojnë të punojnë jashtë orarit, pa siguri në punë, pa kontrata, pa asnjë ditë pushimi dhe vazhdojnë të durojnë padrejtësitë e punëdhënësve.

Edhe Gëzimi nuk kishte siguri, ndaj e pësoi. Nuk kishte siguri se askush nuk ia afroi. Gëzimi dhe shumë shokë të tij nuk trajtohen as si punëtorë. Ata janë skllevër modernë për një kafshatë, që shpesh po u mbetet në fyt.

Askush asnjë fjalë. Heshtja pushtoi çdo gjë. Shteti rri indiferent nga rasti i Gëzimit të hasretit dhe familjes së tij, të cilët mbetën edhe pa atë kafshatë që e siguronin nga “skllavi modern”.

Një qeverisje pa ndjenja është e rrezikshme për shoqërinë. Populli po vdes për neglizhencë të shtetit, derisa pushtetarët krekosen me luksin e tyre.

Ka ndodhur edhe raste të tjera të tilla, ndërsa disa patën fatin të shpëtonin gjallë disi. Por, pasi kanë përfunduar në spital, u është dashtë që të paguajnë shpenzimet, ndërsa gjatë trajtimit kanë mbetur pa të ardhura. Këtë fat e kanë pasur edhe shumë kolegë të Gëzimit. Kjo ka ndodhur, sepse kanë punuar pa kontrata dhe punëdhënësi nuk ka dashur që dëgjojë për këtë çështje.

Ata as tani nuk kanë kontrata, nuk kanë kurrfarë sigurimi. E, shteti hesht. Punëtorët heshtin, sepse janë të ndershëm. Por, në një shtet ku mafia udhëheq, është e rrezikshme të jesh i ndershëm e të punosh me djersë.

Për qeveritarët, punëtorët e sektorit privat janë njerëz të dorës së dytë, pa të drejta, të dënuar për të bartur Gurin e Sizifit mbi shpin. Shkurt, janë në të njëjtin nivel të drejtash si në kohë të Marksit. Skllavopronarja po u shërben pushtetarëve, të cilët janë biznesmenë e u ikin detyrimeve duke përfituar para të majme në kurriz të punëtorëve.

Gëzimi është viktimë e një keqqeverisjes, e bandave që kanë kapluar çdo sektor. Shteti nuk qau Gëzimin. Të tillë ka sa të duash: njerëz që skamja u ka vënë lakun në fyt e që janë të detyruar edhe jetën të rrezikojnë për një kafshatë bukë.

Ky shtet do të vazhdoj të prodhoj Gëzima, përderisa nuk do t’i kthej sytë nga populli!