LAJMI I FUNDIT:

BE dhe Betoveni: Historia e një muzike, si simbol errësire dhe drite

BE dhe Betoveni: Historia e një muzike, si simbol errësire dhe drite
Ludwig van Beethoven

“Ode gëzimit” është simbol i fuqishëm i dashurisë, i humanizmit dhe i unitetit evropian. Refuzimi i himnit të BE-së nga Partia e BREX-it, injoron historinë tonë të përbashkët, shkruan profesoresha e Universitetit të Notingamit, Joanne Cormac, transmeton Telegrafi.

Eurodeputetët e Partisë së Brexit-it, të kryesuar nga Nigel Farage, kthyen shpinën teksa në ceremoninë e shënimit të hapjes së Parlamentit Evropian, po intonohej himni i Bashkimit Evropian. Sjellja e tyre është parë me përçmim nga shumë njerëz, sidomos përmes trendit #notinmyname (jo në emrin tim) në Twitter. Ky ishte një akt emocionalisht provokues, në kohë të ndjeshme politike. Por, ka diçka më shumë rreth shmangies së himnit “Ode gëzimit” – aranzhimit instrumental të pjesës së fundit të Simfonisë së Nëntë ikonike të Betovenit (Ludwig van Beethoven), që e bënë veprimin e tyre edhe më irritues.


Simfonia ka një histori të gjatë dhe të ndërlikuar: ishte simbol i errësirës dhe dritës. Një vepër e preferuar e Hitlerit (i pëlqente ta dëgjonte në ditëlindje), e Nënta ishte përdorur edhe në filmat propagandistik nazistë, ndërsa seksioni përmbyllës koral është interpretuar në Olimpiadën e Berlinit të vitit 1936. U zgjodh gjithashtu si himni kombëtar i Republikës së Rodezisë, nën administrimin racist të Ian Smithit. Kjo errësirë është adaptuar edhe në kolonat zanore: simfonia ndërlidhet me dhunën ekstreme te filmi “A Clockwork Orange” i Stanley Kubrickut, dhe është motiv i përsëritur i keqbërësit të kulturuar Hanson Gruber që luhej nga Alan Rickman në filmin “Die Hard”.

Megjithatë, e Nënta ka gjithashtu konotacione shpenguese. Në të njëjtën kohë kur Hitleri e përvetësoi të Nëntën, u përdor gjithashtu për ta kundërshtuar atë – madje u luajt në kampet e përqendrimit nga një orkestër e të burgosurve. Muzika ishte përdorur nga grupet SS për të kontrolluar dhe për të poshtëruar, por të burgosurit gjithashtu e përdorën muzikën si mjet mbijetese. Në vitin 2000, Filarmonia e Vjenës dha një shfaqje në Mauthausen, kampin nazist të përqendrimit, përpara një auditori të të mbijetuarve. Duke pasë parasysh historinë e saj (dhe gjithashtu të Filarmonisë së Vjenës), zgjedhja e së Nëntës ishte e diskutueshme. Sidoqoftë, Beethoveni, si simbol i Evropës së re në fillim të mijëvjeçarit, shihej si zgjedhja e përshtatshme nga shumë njerëz dhe e Nënta është rikthyer si simbol i fuqishëm dhe sublim i dashurisë dhe humanizmit.

Por, si ka ndodhur ky transformim?

Simfonia e fundit e Beethovenit u shndërrua në mitologji që nga premiera e saj më 7 maj 1824. Kompozitori tërësisht i shurdhër ishte i pranishëm në skenë dhe duhej të kthehej balla për ballë me audiencën për të parë brohoritjet dhe duartrokitje e tyre. Ideja e së Nëntës ndërlidhej me mënyrën sesi vetë kompozitori kujtohet si artisti heroik, artist vuajtës, gjeni i shurdhër që shmangu botën për të krijuar muzikën më sublime e më të jashtëzakonshme.

E njohur edhe si Simfonia “Korale”, për shkak të përfshirjes në fund të vargjeve dhe zërave, fjalët e saj për lumturinë përfshijnë pjesë të poezisë së vitit 1785 të Fridrih Schillerit, “An die Freude”, që flet për të gjithë njerëzit që bëhen vëllezër: “Alle Menschen werden Brüder”!

Simfonia ndjek një trajektore lufte dhe triumfi. E merr dëgjuesin në një udhëtim, që nga rritja dramatike e intensitetit në pjesën e parë, deri te skersoja energjike te e dyta, lirika idilike te e treta dhe në fund – shpengimi i lavdishëm e vizionar në përmbylljen korale që është fuqishme, sepse ishte një fitore e vështirë. Zgjedhjet muzikore të Beethovenit krijojnë dramë. Ekzistojnë kontraste ekstreme të tingullit. Ka shpërthime të aktivitetit dhe ritmeve të përsëritura që e shtyjnë muzikën para. Ka gjithashtu heshtje dhe ndërprerje dramatike. Kjo është muzika e krijuar në shkallë të gjerë, duke përdorur gjithë gamën ekspresive të orkestrës.

Megjithatë, muzika, kompozitori dhe ndërlidhja e simfonisë me vëllazërimin universal dhe shpengimin, janë vetëm pjesë të historisë që e bëjnë aq provokues veprimin e Partisë së Brexit-it. E Nënta është e lidhur ngushtë me Evropën si entitet i vetëm.

Menjëherë pas vdekjes, Beethoveni i lindur në Gjermani e që shumicën e jetës e kaloi në Vjenë, u përvetësua nga tërë Evropa. Tradita të ndryshme u rritën në qendrat evropiane, ku simfonitë e tij u përshtatën me shijet dhe zakonet lokale. Në Angli, për shembull, u organizuan si meloditë e himneve dhe u dëgjuan në katedrale e luajtën nga grupet frymore. Beethoveni u bë pjesë e muzikës sonë të përditshme, siç u bë pjesë e traditave tjera evropiane muzikore. Ai gjithashtu u trajtua me nderim më shumë se çdo kompozitor tjetër.

Një dirigjent pompoz francez i shekullit XIX, Louis Jullien, veshte doreza të bardha dhe përdorte një shkop të stolisur që ia linin nën jastëk çdo herë që drejtonte simfonitë e Beethovenit. Statuja e kompozitorit u ngrit në Bon, në vendlindjen e tij, që më 1845. Mbreti i Prusisë ka marrë pjesë në inaugurim, si dhe Mbretëresha Victoria dhe Princi Albert. Shtypi britanik ishte atje, së bashku me shtypin francez dhe gjerman. Kishte edhe fërkime. Kontingjenti francez u mërzi për shkak të mungesës së dollisë për mbretin Louis Philippe.

Një grup muzikantësh evropianë dhe krerët e shteteve u mblodhën në Vjenë në vitin 1927 për të shënuar 100-vjetorin e vdekjes së kompozitorit dhe, vitin e ardhshëm, 250-vjetori i lindjes së kompozitorit do të festohet jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën. Pra, tërheqja për Beethovenin është universale.

Imazhi i së Nëntës si simbol i fuqishëm i unitetit evropian ndoshta u pa në mënyrën më ikonike në ditën e Krishtlindjeve të vitit 1989, kur Leonard Bernstein dirigjoi pjesën e fundit për të festuar rënien e murit të Berlinit, me një orkestrën të përbërë nga anëtarë nga Gjermania Lindore dhe ajo Perëndimore, si dhe nga katër fuqitë aleate: Franca, Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik dhe SHBA.

Kur në vitin 1972, Këshilli i Evropës vendosi për himnin, Beethoveni u konsiderua si zgjedhja e qartë. Udhëheqësit e BE-së pastaj miratuan të Nëntën më 1985, si himnin zyrtar të Bashkimit Evropian. Duke pasë parasysh kuptimin e saj të unitetit dhe lidhjen e saj të gjatë me historinë evropiane, përfaqësonte jo vetëm BE-në, por edhe Evropën në një kuptim më të gjerë.

Përkundër gjithë kësaj historie (ndonjëherë të dhimbshme) të përbashkët, dhe gëzimit e optimizmit të saj për të ardhmen, deputetët e Partisë së Brexit-it ta e refuzojnë dhe shmangin të Nëntën! /Telegrafi/