Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth plagosjes së dy personave në Podujevë.

Sipas raportit 24 orësh, rasti ka ndodhur orës 20:30, në Rrugën “Zahir Pajaziti” ku nga një përleshje e armatosur mes dy grupeve rivale, ku dy persona janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri.


Gjatë sherrit, njëri nga të dyshuarit ka përdorur armën e zjarrit, duke qëlluar drejt personave tjerë në vendngjarje.

Palët e përfshira në konflikt ishin pjesë e dy grupeve rivale, ndërsa nga hetimet paraprake dyshohet se në përleshje kanë marrë pjesë edhe tre persona të tjerë, të cilët ende nuk janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim nga autoritetet.

Njësitet policore kanë ndërmarrë veprime të shpejta hetimore në vendin e ngjarjes, ku kanë mbledhur prova dhe kanë identifikuar disa prej të përfshirëve.

Deri më tani tre të dyshuar janë arrestuar nga policia dhe janë vendosur nën mbajtje me vendim të prokurorit, ndërsa dy të dyshuar të tjerë janë larguar nga vendi i ngjarjes.

"Dyshohet se në këtë rast kanë marr pjesë edhe tre persona të tjerë të cilët nuk janë identifikuar dhe gjenden në arrati. Tre nga të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa dy nga të dyshuarit tjerë kanë ikur nga vendi i ngjarjes", ka njoftuar policia.

Hetimet për kapjen e personave të shpallur në arrati dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti vazhdojnë nga autoritetet. /Telegrafi/