LAJMI I FUNDIT:

Detaje nga shpërthimi i tritolit në Sarandë, bashkëpronarët e hotelit në gjyq që prej vitit 2002

Detaje nga shpërthimi i tritolit në Sarandë, bashkëpronarët e hotelit në gjyq që prej vitit 2002

Një hotel në Sarandë është shembur plotësishtë gjatë natës si pasojë e një shpërthimi me tritol.

Hoteli mësohet se është në pronësi të dy personave të cilët që nga 2002 kanë probleme dhe janë në proces gjyqësor.


Sasia e tritolit është vendosur në kolonat e brendshme të hotel “Bizantit” në Sarandë, raporton Ora News.

Sipas policisë, personi që ka vendosur sasinë e tritolit ka pasur njohuri për shpërthime të kësaj natyre.

Ka dyshime se hoteli është hedhur qëllimisht në erë nga njëri nga pronarët, të cilët janë në konflikt me njëri-tjetrin dhe aktualisht ndodhen në proces gjyqësor në gjykatën e Sarandës.

Hoteli është në pronësi të Spiro Çabirit, por ky i fundit ka konflikt me një shtetas grek Dhimitër Evangjeliu.

Hoteli dykatësh funksiononte vetëm gjatë muajve të verës, ndërsa në dimër qëndronte i mbyllur.

Për sipërfaqen tokësore ku ndodhej hoteli kishin shfaqur interes firma të ndryshme, me qëllim ndërtimin e një pallati në këtë territor.

Sasia e tritolit paraprakisht dyshohet se është diku tek 5 kg, duke sjellë një shpërthim të fuqishëm që është dëgjuar në gjithë Sarandën.

Ekspertë xhenierë janë thirrur nga Tirana për të bërë një vlerësim më të saktë të sasisë së tritolit që është vendosur në kolonat e hotelit dhe nxjerë mekanizmin e vendosjes së tritolit.

Sipas policisë personi që ka vendosur tritolin besohet të ketë punuar për gjatë dy orëve, duke bërë lidhjen e fijeve.

Deri tani nuk ka asnjë person të arrestuar apo qoftë dhe shoqëruar për këtë ngjarje.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 05:55, në lagjen nr.1, Sarandë, në një hotel dy-katësh i ndërtuar që prej vitit 1996, në pronësi të shtetasve S. Ç., dhe E. Dh., ka shpërthyer një sasi lënde, e dyshuar eksplozive, ku si pasojë ndërtesa është rrëzuar dhe janë shkaktuar dëmtime të fasadave të objekteve në afërsi të objektit të rrëzuar.

Nga shpërthimi nuk ka asnjë person të lënduar.

Shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet në zonë për kapjen e autorit/ve.

Menjëherë është ngritur një grupi i posaçëm hetimor me ekspertë më të mirë të DVP Vlorë dhe nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e ngjarjes.

Nga të dhënat paraprake rezulton se prej vitit 2002, dy bashkëpronarët janë në një proçes gjyqësor për pronësinë e këtij hoteli. /Telegrafi/