As në seancën e sotme nuk u arrit konstituimi i Kuvendit të Kosovës, pasi nuk u miratua propozimi për formimin e komisionit zgjedhor, i domosdoshëm për organizimin e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit. Kjo shënon tentativën e 27-të të pasuksesshme për formimin e tij, duke zgjatur ngërçin institucional në vend.

Deputetët e LDK-së, kanë reaguar pas dështimit të seancës, ku edhe kanë përsëritur propozimin e partisë për qeveri gjithëpërfshirëse, transmeton Telegrafi.


Deputeti Avdullah Hoti, në një postim në Facebook, ka shkruar se krizat politike në një demokraci mund të ndodhin, por është papërgjegjësi e forcave politike nëse ato thellohen dhe zgjasin, duke krijuar kosto për çdo qytetar dhe biznes.

"Pavarësisht të drejtës që ka partia e parë që del nga zgjedhjet për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit dhe për të marrë e para mandatin për formimin e Qeverisë, institucionet e reja që duhet të dalin nga zgjedhjet nuk mund të formohen pa u siguruar shumica parlamentare. Ky është një rregull elementar i sistemit tonë kushtetues, i cili është i ngjashëm me shumicën e sistemeve kushtetuese të demokracive perëndimore", ka pohuar Hoti.

Mes tjerash, ai ka shkruar se "pas 27 dështimeve për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, është e qartë se partia e parë ka dështuar të formojë shumicën parlamentare. Rrjedhimisht, ajo duhet ta pranojë këtë dhe të kërkojë konsultime me partitë e tjera për modalitetet kushtetuese të daljes nga kriza politike".

"LDK-ja, në mungesë të krijimit të një shumice parlamentare dhe duke e bërë të qartë se, për shkak të rezultatit zgjedhor, do të qëndrojë në opozitë pa u bërë pjesë e asnjë lloj shumice parlamentare, ka propozuar një qeveri gjithëpërfshirëse kalimtare, me mandat dhe kohë të kufizuar. Ky propozim kërkon konsensus nga të gjitha forcat politike, konsensus i cili duket qartë se nuk ekziston.

Rrjedhimisht, është detyrim i forcave politike që të ulen sa më parë dhe të bien dakord për një datë të re zgjedhjesh. Vendi nuk mund të lihet pa institucione. Nëse forcat politike nuk arrijnë të merren vesh për të formuar shumicën parlamentare, atëherë fjalën duhet ta ketë sërish sovrani", tha ai.

Po ashtu, edhe deputeti Alban Zogaj, ka shkruar se zgjidhja e vetme mbetet propozimi i LDK-së.

"Në këtë moment të rëndë institucional dhe politik, e vetmja zgjidhje serioze dhe reale është ajo që ka propozuar LDK-ja: krijimi i një Qeverie Gjithëpërfshirëse, që garanton stabilitet, përgatitje për zgjedhje lokale e qendrore (në pranvere 2026) dhe rikthim të besimit në institucione. Asnjë alternativë tjetër nuk e sjell këtë qartësi, legjitimitet dhe drejtim të përgjegjshëm. Koha për vendime të mëdha është tani", pohoi ai.

Ndryshe, kryesuesi i seancës, Avni Dehari ftoi sot subjektet politike të propozojnë përfaqësuesit për komisionin zgjedhor, por që propozimi sërish dështoi.

Ky komision do t’i hapte rrugë votimit për kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për postin e kryeparlamentares, transmeton Telegrafi.

Kjo ishte tentativa e 27-të për konstituimin e Kuvendit.

Seanca u ndërprerë për të vazhduar pas 48 orësh.

Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit. Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme./Telegrafi/