LAJMI I FUNDIT:

Dëshmitarja: Oliver Ivanoviq më kishte thënë se po ndjehet i rrezikuar nga një grup kriminal që vepron në territorin e Mitrovicës

Dëshmitarja: Oliver Ivanoviq më kishte thënë se po ndjehet i rrezikuar nga një grup kriminal që vepron në territorin e Mitrovicës

Me dëgjimin dëshmitares K.B të hënën ka vazhduar gjykimi ndaj Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, të akuzuar si të përfshirë në vrasjen e politikanit serb, tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, përpara zyrës së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut dhe nga vrasja e tij e deri më tani kanë kaluar më shumë se 3 vjet e 10 muaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.


Në seancën e kaluar të 30 gushtit 2021, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj kishte marrë vendim që deklaratat e dëshmitarëve të mos publikohen, në mënyrë që të mos dëmtohet procesi i gjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë kërkesë të tij, gjykatësi Kurtaj e ka përsëritur edhe në këtë seancë, i cili po ashtu ka thënë se deklaratat e dhëna nëpër media po bien ndesh me rregulluat e procedurës penale pasi sipas tij, është mundësia e ndikimit në dëshmitarë.

“Për monitoruesit që ju lejohet monitorimi, në rastin e raportimit për rastin dhe këtë seancë të jenë të kujdesshëm për deklarimet e dëshmitarëve për faktin se deklaratat e dhëna në tersi janë prezantuar nëpër media e që bie ndesh me rregullat e procedurës penale dhe mundësinë e ndikimit në deklaratat e dëshmitarëve tjerë, andaj kërkojmë që të ketë kujdes në raportimin e deklaratave”, tha gjykatësi Kurtaj.

Ndryshe, kjo dëshmitare gjatë kësaj seance ka treguar se me të ndjerin Oliver Ivanoviq ka punuar për 20 vite dhe se këtë të fundit e ka pasur bashkëpunëtor shumë të afërt.

Ajo ka treguar se i ndjeri kishte lajmëruar institucionet e Kosovës, duke filluar nga policia, KFORI dhe EULEX-i, se po ndjehet i rrezikuar.

Në këtë seancë ajo po ashtu ka kritikuar profesionalizimin e policisë së Kosovës, ku sipas saj policia në këtë rast ka qenë joprofesionale.

Ajo ka thënë se i ndjeri Ivanoviq, përveç politikës nuk ishte marrë me asgjë tjetër, dhe se sipas saj, ai nuk ka qenë pengesë në biznes apo për profesionalizëm.

Dëshmitarja ka treguar po ashtu se kur kishte biseduar me të ndjerin Oliver Ivanoviq, për sigurinë e tij dhe sigurinë e përgjithshme, ai i kishte thënë se ka qene i rrezikuar nga një grup i caktuar kriminal, grup ky sipas saj, nga territori i Mitrovicës.

Për shkak se deklaratat në tersi janë ndaluar nga trupi gjykues, nuk mund të raportohet më shumë se si ka rrjedhur kjo seancë, gjithnjë duke e respektuar vendimin e gjykatës, atë të seancës së kaluar dhe seancës së sotme.

Dëshmia e dëshmitares K.B pritet të vazhdojë edhe nesër pasi sot pyetjet i kanë përfunduar prokurori special, Burim Qerkini, dhe mbrojtja e të akuzuarve, nesër pritet te vazhdohet me rimarrjen në pyetja nga ana e prokurorit Qerkini dhe me pyetjet e trupit gjykues.

Sot ishte paraparë edhe i një dëshmitari tjetër, por pasi që i njëjti u lirua fillimisht për ditën e sotme ai ka njoftuar trupin gjykues se edhe në dy seancat e radhës nuk mund të paraqitet për dëshmi për shkaqe shëndetësore familjare.

Seancat e radhës për këtë rast priten të vazhdojnë nesër me 23 nëntor dhe po ashtu me 24 nëntor, ku pritet të vazhdohet edhe me dëgjimin e dëshmitarëve tjerë.

Të akuzuarit nesër pritet të dalin sërish para trupit gjykues që përbëhet nga gjykatësi Valon Kurtaj si kryetar dhe gjykatësit Valbona Musliu–Selimaj e Musa Konxheli si anëtarë, për t’u ballafaquar me aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Ndryshe seanca e 17 shtatorit ishte anuluar për shkak të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës me të cilin vendim nuk lejohej grumbullimi i më shumë se 20 personave, dhe ky rast ishte shtyrë në kohë të pacaktuar.

Lajmin e kishte bërë të ditur avokati Tomë Gashi, që mbron të akuzuarën Rade Basara, përmes një postimi në rrjetin e tij social “Facebook”.

Ndryshe, edhe seanca e 14 shtatorit të këtij viti ishte anuluar paraprakisht, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e mbajtur më 6 korrik të këtij viti, pasi aktakuza është konsideruar e lexuar, gjashtë të akuzuarit nuk pranuan fajësinë për akuzat lidhur me vrasjen. Mirëpo, Zharko Jovanoviq ka pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje.

Në prill të vitit 2021, Gjykata e Apelit ka konfirmuar aktakuzën e ngritur për këtë rast.

Kësisoj, Apeli e ka lënë në fuqi aktvendimin e nxjerrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 mars 2021, me të cilin ishin refuzuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave të parashtruara nga mbrojtja ndaj aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj vendimit të Themelores, në afatin ligjor kishin paraqitur ankesë mbrojtësit e të akuzuarve Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq dhe Rade Basara.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Zharko Jovanoviç, avokati Nebojsa Vlajiç kishte atakuar me ankesë vendimin e nxjerrë nga shkalla e parë, me të cilin atij i ndalohej përfaqësimi në këtë çështje penale, me pretekstin se mund të dëgjohej si dëshmitarë.

Në vendimin e Apelit të nxjerrë më 28 prill 2021, që e ka siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se kjo gjykatë, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore në ankesa, gjeti se ankesat janë të pabazuara.

Ndryshe, fillimisht Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 dhjetor 2019, kishte ngritur aktakuzë kundër Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq dhe Rade Basara për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje” dhe “Manipulim me prova, në bashkëkryerje”.

Seanca fillestare ishte mbajtur me 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.

Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.

Sipas Apelit, në rivendosje nga gjykata e shkallës së parë duhet të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për tu deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që aktakuza të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

Më pas, me 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, ku thuhet se të pandehurit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq, nga viti 2014 deri në vitin 2018, respektivisht me datën 16 janar 2018, në qytetin e Mitrovicës, në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, të cilët gjenden në arrati dhe me dy të pandehur tjerë që deri më tani janë të panjohur për organet e rendit, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar, me hiearki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurve Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, në atë mënyrë që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëveprim ndërmjet veti, me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardh deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.

I pandehuri Nedejlko Spasojeviq, thuhet se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, ka bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Ivanoviq, me ç’rast me dashje dhe dijeni i ka ndihmuar të dyshuarit e panjohur në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke krijuar kushtet dhe mënjanuar pengesat për kryerjen e kësaj vepre penale, ashtu që fillimisht i njëjti u ka mundësuar të dyshuarve që të lëviznin me veturën zyrtare të policisë të markës “Golf IV”, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në drejtim të ndjerit Ivanoviq, e që për pasojë ka ndërruar jetë në spitalin e Mitrovicës.

Tutje, thuhet se përveç kësaj i pandehuri Spasojeviq, në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, me dashje dhe dijeni ka shpërdorur detyrën e tij zyrtare duke mos i kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që ka lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty, ku edhe kishte ndodhur vrasja e të ndjerit Ivanoviq.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Marko Roshiq, duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, duke bashkëpunuar ngushtë me të pandehurit Spasojeviq, Basara, Bojiç, Veselinoviç, dhe Radoiçiç, në atë mënyrë që me veturën e tij të llojit “Santa Fe”, ka përcjellë çdo lëvizje të tani të ndjerit Ivanoviq, para vrasjes së tij, ku pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa Fe”, ngjyrë e zezë. Kjo veture thuhet se pas vrasjes së viktimës e ka përcjellë edhe vëllain e viktimës Mirosllav Ivanoviq, e njëjta veturë është në pronësi dhe përdorim të pandehurit Roshiq dhe vetura e përmendur parkohet tek restoranti “Grey”, që është pronë e të pandehurit Milan Radoiçiç.

Aktakuza thotë se i pandehuri Rade Basa, në cilësinë e zyrtarit policor, konkretisht hetues në Njësinë e Hetimeve Regjionale në Mitrovicë- Veri, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër dhe i njëjti duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, njëkohësisht si hetues policor, ka bashkëpunuar ngushtë me Zheljko Bojiq dhe me grupin kriminal të organizuar e që është udhëhequr ngga Milan Radoiçiç, nga i cili grup ka marrë urdhra për të fshehur dhe eliminuar dëshmitë-provat, dhe nga grupi kriminal është angazhuar që t’i fsheh gjurmët e krimit, t’i selektojnë rastet nën hetim, ku në ato raste ku pjesëtarët e grupit kriminal të Milan Radoiçiç, kanë qenë në cilësinë e të dyshuarve, nuk i ka hetuar me qëllim që ato raste të mos zbardhen dhe të mbesin të pazbuluara, me ç’rast me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.

Për të pandehurën Silvana Arsoviq, thuhet se si anëtare e grupit kriminal të organizuar, duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit që kanë qenë në koordinim për vrasjen e Ivanoviq, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke bërë krijimin e kushteve dhe mënjanimin e pengesave për kryerjen e veprës penale në atë mënyrë që në kohën e aktit të kryerjes së vrasjes të Ivanoviq, e pandehura ka qenë në dijeni se kamerat e sigurisë në zyret e SDP-së kanë qenë të ndalura në mënyrë të dhunshme, duke u ç’kyçur nga rryma, me ç’rast u është mundësuar lehtësim të dyshuarve që të mos incizohen nga kamerat e sigurisë, kur të kryhet akti i vrasjes ndaj të ndjerit Ivanoviq. E njëjta thuhet se me datën 16 janar 2018, në ora 08:16, menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit, i ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyret e partisë SDP, e cila ka qenë duku punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Me këtë të pandehurit, sipas prokurorisë, kanë kryer veprën penale pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga nenin 283, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRPK-së lidhur me veprat penale vrasje e rëndë sipas nenit 179, paragrafi 1.9 të KPRK-së dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas nenit 442, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Tutje, aktakuza thotë se i akuzuari Dragisha Markoviq, me datën 16 janar 2019, në cilësi të zyrtarit policor, pa autorizim i ka vënë në dispozicion personit tjetër informatën, e cila përbën fshehtësi zyrtare, në atë mënyrë që derisa ishte në detyrë zyrtare nga vendi i ngjarjes, ku edhe kishte ndodhur vrasja e Ivanoviq, me qëllim të publikimit apo shfrytëzimit të asaj informate, jashtë territorit të Republikës së Kosovës, duke i raportuar një zyrtari policor në shtetin e Serbisë ende pa u konfirmuar lajmi se është vrarë tani i ndjeri Ivanoviq.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.

Në vijim thuhet se Dragisha Markoviq dhe Zharko Javanoviq, në datën 16 janar 2018, në cilësi të personave zyrtare, kanë shpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke mos i kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, në atë mënyrë që pas vrasjes së Ivanoviq, kanë dal në vendin e ngjarjes, nuk e kanë siguruar mirë vendin e ngjarjes duke lënë persona të tjerë që të ndërhyjnë në atë hapësirë, si dhe të njëjtit me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme provat në procedura zyrtare, kanë manipuluar me to, duke i hequr dhe fshehur ato, ashtu që fillimisht i pandehuri Dragisha Markoviq bën me dorë në drejtim të gëzhojës, e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes, e të cilën më pas i pandehuri Jovanoviq e merr, e fut në xhep dhe së bashku me Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

Me këtë akuzohet se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje.

Ndërsa, Jovanoviq, gjithashtu akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi të njëjtit me datën 10 shkurt 2018, sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të shtëpive dhe objekteve përcjellëse dhe gjatë kontrollit të banesës së tij, është gjetur dhe konfiskuar një armë e markës TT, e kalibrit 7.62 mm, dhe 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa leje. /BetimipërDrejtësi/

Në trend Lajme

Më shumë
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Lajme
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Lajme
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Gjendja shëndetësore e 20-vjeçarit që u ther me thikë në Ferizaj është stabile

Gjendja shëndetësore e 20-vjeçarit që u ther me thikë në Ferizaj është stabile

Lajme
​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

Siguri
Kalo në kategori