LAJMI I FUNDIT:

Dëshmia e fqinjit dhe varrmihësit të Musine Kokalarit: Nuk i kishte duart lidhur me tela me gjemba

Dëshmia e fqinjit dhe varrmihësit të Musine Kokalarit: Nuk i kishte duart lidhur me tela me gjemba
Musine Kokalari (1917–1983)

Nga: Ndue Dedaj

“Kur vjen për vizitë Enver Hoxha në Mirditë, në vitin 1968, Musinenë e hipin në një makinë dhe e dërgojnë në Shënpal, njëzet kilometra larg Rrëshenit, për katër-pesë ditë, ku kishte qenë një kazermë e vjetër që kishte shërbyer si postë xhandarmërie e burg dhe më vonë shkollë. Natyrisht, bashkë me disa të internuar të tjerë që mbaheshin për të rrezikshëm, me pretekstin që të mos i dilnin përpara për t’i futur ndonjë letër në xhep Udhëheqësit duke e shqetësuar”!

Ky është një pohim që bëhet për herë të parë nga Agim Haruni, njeriu që i ka qëndruar afër disidentes, komshi me të për 15 vjet, i cili ka qenë dhe varrmihësi i saj. Ai kujton gjithçka me imtësi dhe ka vetëm një qëllim: njerëzit të dinë të vërtetën rreth Musinesë, të cilën e vlerësonte shumë, por që nuk e kishte ditur se ajo kishte qenë dhe shkrimtare.


Ka vetëm një si peng brenda vetes, pas gjithë asaj që i kishte ndodhur “zonjës së rëndë”, që ajo të kishte rrojtur derisa të shihte ardhjen e demokracisë në Shqipëri. Musineja kishte tri kohë në jetën e saj, nga të cilat të fundit do ta kalonte në Rrëshen. Koha e parë ishte në liri, në Gjirokastër, Itali dhe Tiranë, si studente, shkrimtare dhe politikane. Koha e dytë do të ishte në burg në Burrel, në kushtet e heqjes së lirisë. Dhe, koha e tretë në Mirditë, në internim, në liri të kufizuar. Pikërisht për këtë të fundit kemi folur me Agimin, 70 vjeç, ish-punëtor ngarkim-shkarkimi në ndërmarrjen Tregtare të qytetit, njeri i çiltër dhe i hapur. Vetë ai është viktimë e sistemit, me ndryshimin se i ati kishte qenë ushtarak edhe në kohën e regjimit komunist, derisa i kishte ardhur teposhtja.

Në një nga kafenetë e Rrëshenit, ai na rrëfen për më shumë se një orë: “Ne si familje jemi nga Kuçi i Vlorës. Na sollën nga Shkodra në Rrëshen, në vitin 1958, për të na goditur pak nga pak. Babai im, Sulë Haruni, ishte oficer i kohës së Zogut, kishte shërbyer komandant i togës së rojës bregdetare në Durrës dhe Shëngjin në 1939, me Mujo Ulqinakun, dhe ishte dekoruar disa herë me ‘Medaljen e Trimërisë’ për 7 Prillin, me ‘Yllin e Kuq’ të 10 Korrikut etj. Në vitin 1963, me 20 shtator, babanë tim, ish-partizan, oficer në Mirditë, e arrestojnë dhe dënojnë me gjashtë vite burg për motive politike, por bëri katër vite e tre muaj. Si kishte ndodhur? Katër ditë më parë se të vinte arrestimi, na fusin në shtëpi një gazetë ‘Pravda’, që siç dihet ishte organi kryesor i shtypit të Bashkimit Sovjetik. Tri ditë më vonë, me 19 shtator, vijnë nga Dega e Brendshme dhe kontrollojnë shtëpinë, ku gjejnë gazetën e mallkuar që jo rastësisht na e kishin bërë peshqesh dhe kështu të nesërmen babait i vënë prangat”.

Dhe, armiqtë e pushtetit do të kishin të njëjtën strehë. Ata mblidheshin nga ana e anës dhe rraseshin në “kënetë”, për të shtyrë jetën.

“Me Musinenë u njohëm në vitin 1968, kur ajo erdhi me banim në banesën tonë njëkatëshe, te një si kënetë në dalje të qytetit, nga ana e SMT-së, pasi aty ku ajo kishte banuar më parë ishte ndërtuar reparti ushtarak. Banonim aty këto familje: Musineja në një dhomë; familja jonë, babai, nëna dhe ne fëmijët në dy dhoma; Mark Ndoja, këpucar shkodran – që qepte këpucët e ushtarëve – me të shoqen Zinën në një dhomë; Yldyshane Kalo, me të birin në një dhomë, pasi i shoqi grek ishte riatdhesuar në Greqi. Ajo ishte motër me Myzejenin dhe rronin së bashku me të ëmën, deri kur ajo vdiq. Ishin nga Konispoli, por internimi i kishte hedhur në Rrëshen. Banesa jonë njëkatëshe, quhej ‘Pallati i të Deklasuarve’. Përmbytej sa herë binte shi, futej një gjysmë metër uji brenda, pasi rruga për në Kurbnesh, si një ‘pendë’, i pengonte ujërat të binin në përroin e Zmesë. Në raste të tilla, vinim te hoteli i vogël dykatësh i qytetit, për t’u strehuar sa të dilte moti, por nuk na linte kush brenda … Gjëja më me vlerë që Musineja kishte në dhomë, ishte një raft me libra. Në mur mbante fotografinë e babait dhe të nënës. I nxirrte librat jashtë, vetëm kur lyente shtëpinë. Kur e pyeta njëherë për librat e Stalinit, ajo më tha: ‘Duhet me i lexue edhe këto’! Dilte në oborr dhe shtrihej në një shezlong të vjetruar, me ndonjë libër a revistë në dorë, ose shkruante. Këtë dinte të bënte. Mbante shënime gjithmonë – ditar. Kishte një shkrim të hapur. E njoh edhe sot shkrimin e saj. Ndërkohë që nuk dinte të gatuante”.

“Edhe e vdekur është gjetur me një libër në gjoks. Mundohej me pyet ndonjë fshatar për zakonet dhe traditat e Mirditës, po pak kush i ndalohej për të folur me të, pasi njerëzit kishin frikë nga Sigurimi. Kishte një zakon të mirë, lekët që fitonte në punë i fuste në bankë, mbante vetëm sa për të prishur 80 lekë të asaj kohe, në ditë, për t’u ushqyer dhe për biletën e kinemasë. Me interesin e bankës, blinte libra. Në fund doli se kishte kursyer 400 mijë lekë që, për kohën, nuk ishte një shumë e vogël … Ishte tip i qetë, e dashur, por e rezervuar, një grua e mrekullueshme. Politika bënte punën e vet, s’kishe çfarë t’i bëje. Edhe ne komshinjve nuk na fliste në rrugë. Flisnim rrallë me të, se rrallë vinte te ne për të parë televizor. Për herë të parë Drita Kosturin e kam dëgjuar nga ajo. Isha në Romë, na pati thënë njëherë, ku rroja me dy motra italiane, kur një natë takohem me Dritën në rrugë: ‘Sa e bukur je’ – më tha ajo, ‘kurse unë ia prita: Po ti ku më sheh, në errësirë? Qeshëm të dyja’! Musineja punonte në ndërmarrjen e Ndërtimit në Rrëshen, mes tullave, llaçit dhe betonit, së bashku me një komshie të deklasuar, Prena Gjeçin që ishte gruaja e Ndue Llesh Gëziqit, një intelektual i kohës me disa gjuhë të huaja, i dënuar politikisht ngaqë kishte pas shërbyer në regjimin Mbretëror të Zogut”.

Agimi s’resht së treguari episode nga jeta e tronditur e Musinesë.

“Kur u vra Beqir Balluku, ajo tha: ‘Këta luftojnë për pushtet, unë nuk jam njëlloj me këta që po dënohen tani’! Ndërsa një ditë vjen nga puna e mërzitur.

‘Çfarë ke, Musine’? – e pyeti nëna ime, Kizi. ‘Pashë në qytet atë që më ka torturuar në hetuesi në Tiranë’! Por emrin nuk ia tha. Ajo vetë thoshte se ishte ‘Ermira Vela’ e romanit ‘Para agimit’ të Shefqet Musarajt”.

“Njerëzit nuk kishin punë me të dhe më së shumti i shmangeshin. Nuk di të ketë patur asnjë përplasje me ndokënd, nga njerëzit e pushtetit në Mirditë. Nuk vinte kush me e kontrollue në shtëpi. Thjesht, kalonte çdo ditë para Degës së Brendshme, sa për t’u parë nga oficeri i rojës, por nuk ndalonte. Vetëm atëherë kur Mirditën e vizitoi Enver Hoxha, e dërguan për disa ditë në Shënpal, aq sa ai do të qëndronte aty për vizitë. Ajo tregonte se kur ishin të vegjël, luanin me Enverin në lagje në Gjirokastër, duke i vënë pëllëmbët mbi ato të shoqi-shoqit dhe ‘ai e kishte pëllëmbën më të madhe se ne fëmijët e tjerë’! Tani ajo duhej të ikte pikërisht nga ai djaloshi i dikurshëm i lagjes së gurtë, në Shënpal, në një internim të dyfishtë – pasi ajo e internuar ishte – që atij të mos i mekej sadopak shkëlqimi i diellit sulltanor, nga heretikët e regjimit,që befas mund t’i shfaqeshin përpara në rrugët e qytetit të vogël. ‘Prapa diellit’, ishin degdisur gjithmonë heretikët”!

Agimi vijon: “Më thirrën njëherë te Klubi i Degës dhe më thanë: ‘Agim, dili dëshmitar Musine Kokalarit, se të japim shtëpi’. Por, unë nuk pranova. Kur mbaroi internimin në vitin 1979, i thanë të shkonte në Gjirokastër, por ajo donte të shkonte  në Tiranë, çka nuk ia lejuan. Atëherë ajo vendosi të vazhdonte të qëndronte në Rrëshen. Sa herë sëmurej, i çonim një filxhan çaji të nxehtë. Derën mezi e hapte. I ka bërë shërbim Yldyshane Kalo, që ka meritë të veçantë për këtë. Në Tiranë, në Spitalin Onkologjik ishin dhe njerëzit e saj, Kokalarët, të cilët kujdeseshin”.

Agimi përshkruan më hollësi, ditën e vdekjes dhe të varrimit të Musinesë.

“Ditën që vdiq, gjeta tri adresa të shkruara nga ajo me dorën e saj; nisa tre telegrame, por nuk erdhi në varrim askush nga Tirana etj. Musineja ka vdek me datën 13 gusht 1983 dhe e kemi varros të nesërmen mbas dite, në varrezat e Rrëshenit, katër veta: unë, Yldyshane Kalo, Myzejen Kalo dhe Shaban Doçi (dy të fundit burrë e grua). Me sa mbaj mend, në varrim kanë qenë dhe dy të internuar të tjerë, Gjergji Gjergo, ish-profesor Universiteti, dhëndri i Beqir Ballukut, si dhe Ymer Llugaliu, mësues kosovar letërsie … Në vitin 1991, Musinenë e kanë zhvarrosur familjarët e saj, të cilëve iu ka pri për te varri i saj Zina Ndoja, ish-komshia, dhe tani varrin e ka në Shish-Tufinë, Tiranë”.

Agimi ngulmon në një fakt si dëshmitar okular: “Asht rrenë ajo që thuhet ndonjëherë, se demek kur asht zhvarros Musineja, i ka pas duart të lidhuna me tela me gjemba! Unë i them cilitdo; mos rrej, se ka me dalë dikush me thanë të vërtetën dhe e vërteta e Musinesë asht se ajo nuk i ka pas duart të lidhuna, me asgjë, pasi jemi ne që e kemi varros, nuk ka qenë Sigurimi i Shtetit që e ka varros … Të ishte gjallë sot e të shihte si erdhën punët”, e mbyll bisedën Agim Haruni, vlonjati që flet një gegnishte të përzier. /Memorie.al/