Mbi 10 milionë euro është shuma që Republika e Kosovës ka shpenzuar deri më tash për mbrojtjen e të akuzuarve për krime lufte, të cilët po përballen me drejtësinë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Këtë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Drejtësisë.
“Shuma totale që MD ka shpenzuar që nga viti 2020 e deri në prill të këtij viti 2022, është 10,022,760.00€, pagesa ndaj 8 avokatëve të të akuzuarve në Hagë”, thuhet në përgjigjen e MD-së.
Gjykata Speciale ishte themeluar në gusht të vitit 2015, pasi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kishin miratuar amandamentin kushtetues, përkatësisht nenin e ri 162 të Kushtetutës së Kosovës, me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe Ligjin pёr Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit tё Specializuar (ZPS), me 71 vota të deputetëve të Kosovës.
Proceset gjyqësore pranë kësaj gjykate kishin filluar gjatë vitit 2021. Në cilësinë e personave të akuzuar kanë përfunduar edhe ish-udhëheqës politik të vendit, të cilët kanë mbajtur pozita udhëheqëse gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Hashi Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen nga ana e ZPS se ndërmjet marsit të vitit 1998 e deri në shtator 1999, kanë kryer krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave që konsideroheshin si kundërshtarë. Sipas aktakuzës së ndryshuar, ata akuzohen se kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë
Derisa i akuzuari tjetër Salih Mustafa po përballet me akuzat për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. Për krime lufte po gjykohet pranë kësaj gjykate edhe i akuzuari Pjetër Shala.
Ndërsa, me akuzat për pengim në administrimin e drejtësisë ishin ngarkuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët edhe janë gjetur fajtorë për këto vepra penale, duke u dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe gjobë në shumën prej 100 euro.
Betimi për Drejtësi ka siguruar edhe të dhëna lidhur me pagesat që janë ekzekutuar për mbrojtjen e të akuzuarve të Speciales.
Referuar përgjigjes zyrtare të pranuar nga MD rezulton se nga buxheti i garantuar me ligj deri më tani, më së shumti mjete buxhetore për mbrojtjen e tij ka përfituar Rexhep Selimi me gjithsej 1,543,700.00 euro, derisa më së paku deri më tani ka përfituar mbrojtja e të akuzuarit Pjetër Shala, apo gjithsej 390,000 euro.
Për mbrojtësin e të akuzuarit Salih Mustafa nga muaji Tetor 2020 e deri në Dhjetor 2021 rezulton se janë shpenzuar 893,672.15€, ndërsa për vitin 2022, deri më tani janë shpenzuar 284,000.00€.
Ndërsa, për mbrojtësin e të akuzuarit Jakup Krasniqi nga muaji Nëntor 2020 e deri në Dhjetor 2021 janë shpenzuar 1,247,250.00 €, ndërsa për vitin 2022, deri më tani janë shpenzuar 273,000.00 €.
Nga muaji Nëntor 2020 e deri në Dhjetor 2021 për mbrojtësin e të akuzuarit Rexhep Selimi janë shpenzuar 1,179,700.00 €, ndërsa për vitin 2022, deri më tani janë shpenzuar 364,000.00 €.
Kurse, për mbrojtësin e të akuzuarit Hysni Gucati nga muaji Tetor 2020-Dhjetor 2021 janë shpenzuar 1,134,750.00 €, ndërsa për vitin 2022, deri më tani janë shpenzuar 324,000.00 €.
Për mbrojtësin e të akuzuarit Nasim Haradinaj nga muaji Tetor 2020-Dhjetor 2021 janë shpenzuar 986,963.26 €, ndërsa për vitin 2022, deri më tani janë shpenzuar 324,000.00 €.
Ndërsa, për mbrojtësin e të akuzuarit Hashim Thaçi nga muaji Dhjetor 2020-Dhjetor 2021 janë shpenzuar 1,114,901.00 €, ndërsa për vitin 2022, deri më tani janë shpenzuar 271,800.00 €.
Nga muaji Shkurt 2021 e deri në fund të vitit 2021 për mbrojtësin e të akuzuarit Kadri Veseli, janë shpenzuar 854,724.91 €, ndërsa për vitin 2022, deri më tani janë shpenzuar 380,000.00 €.
Derisa, për mbrojtësin e të akuzuarit Pjetër Shala nga muaji Nëntor 2021 janë shpenzuar 130,000.00 €, ndërsa për vitin 2022, deri më tani janë shpenzuar 260,000.00 €.
Mbulimi i këtyre shpenzimeve në adresë të të akuzuarve të Speciales bëhet konform Nenit 3, paragrafi 1 të Ligjit nr. 05/l-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.
Sipas nenit 3.1 të këtij ligji përcaktohet se “Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga Buxheti i Kosovës, i alokuara për qëllimet e këtij Ligji”.
Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Seminishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen me forcë e personave dhe persekutimin.
Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, dhe persekutimin.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
Ndryshe, aktakuza ndaj Salih Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020, ku ngarkohet për krime lufte.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.
Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëZbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A