LAJMI I FUNDIT:

I dërguari i Trumpit e krahasoi Pallatin Elysee me Mar-a-Lagon

I dërguari i Trumpit e krahasoi Pallatin Elysee me Mar-a-Lagon

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Lindjen e Mesme dhe luftën në Ukrainë, Steve Witkoff, ka qëndruar në Paris për negociata mbi përfundimin e konfliktit ruso-ukrainas, dhe gjatë kësaj vizite ka bërë një krahasim vërtet të pazakontë.

Teksa ishte ulur me ekipin e presidentit francez, Emmanuel Macron në Pallatin Elysee, Witkoff vendosi ta krahasojë këtë ndërtesë historike me vilën e shefit të tij, të njohur si Mar-a-Lago.

“Kjo që keni këtu është njësoj sikur të isha në Mar-a-Lago. Duket shumë bukur. Trump e menaxhon vetë, ai është si arkitekt dhe dizajner”, tha Witkoff.


Negociatori francez, i vendosur në një situatë të pakëndshme, buzëqeshi dhe ndërroi temën, duke folur për hapjen e katedrales së rinovuar Notre Dame.

Ndryshe, Pallati Elysee konsiderohet si një nga ndërtesat më të bukura në botë. Është ndërtuar në vitin 1722 për aristokracinë franceze dhe që nga viti 1848 është rezidenca zyrtare e presidentit të Francës.

Nga ana tjetër, vila Mar-a-Lago është ndërtuar në vitin 1927 për Marjorie Merriweather Post, pronaren e kompanisë General Foods. Trump e bleu vilën në vitin 1985, dhe në vitin 1994 e shndërroi në një klub golfi. /Telegrafi/