LAJMI I FUNDIT:

Deputetja boshnjake: Serbia mori përgjegjësi të plotë për sulmin terrorist në Kosovë

Deputetja boshnjake: Serbia mori përgjegjësi të plotë për sulmin terrorist në Kosovë

Deputetja nga Dhoma e Përfaqësuesve e Parlamentit të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës në Këshillin e Evropës, Sabina Çudiq ka thënë se Serbia është faktor destabilizues jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan.

Në një intervistë për Radio Kosovën ajo thotë se nuk duhet hezituar dhe Kosova duhet të ketë qasje në institucionet evropiane dhe se duhet të hapen dyert për Kosovën.


Më 24 shtator në Kosovë, ka pasur një sulm terrorist në veri të vendit, nga një grup i armatosur i serbëve lokalë, pas të cilëve faktet treguan se qëndron Serbia. Si e shihni këtë?

Çudiq: Fillimisht desha t’ju korrigjoj kur thatë serbë lokalë, sepse këta serbët lokalë nuk është e thënë që janë lokalë ngase kanë lidhje të forta me Qeverinë e Serbisë. Kjo tregon definitivisht se Serbia vazhdon të jetë faktor detabilizues jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë rajonin, diçka për të cilën ne jemi duke folur që një kohë të gjatë. Dhe politika e cila e sheh presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, si faktor stabilizues në Ballkanin Perëndimor, është diçka që unë dhe partia ime e kemi kritikuar hapur te administrate amerikane dhe komuniteti ndërkombëtar. Unë kam përdorur platformën e Këshillit të Evropës, por edhe takimet e tjera bilaterale, ku kam tërhequr vërejtjen se ajo çfarë thotë publikisht regjimi i Serbisë, nuk qëndron, sepse ata ndryshe veprojnë pas dyerve të mbyllura. Besoj se politikën duhet ta gjykojmë bazuar në rezultatet dhe veprimet e jo vetëm nga ajo se çfarë thuhet. Në këtë kontekst unë e shoh këtë si një veprim terrorist, për të cilin Serbia mori përgjegjësi të plotë, duke shpallur ditë zie për sulmuesit të cilët u vranë.

Ndërhyrja e Rusisë në rajon, kryesisht përmes partnerit të saj, Serbisë, kanë krijuar një situatë të brishtë të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nga luftërat e viteve 90-ta. A vlerësoni se ka hapësirë për  përshkallëzim të situatë në rajon?

Çudiq: Mendoj se hezitimi i fuqive perëndimore, veçanërisht i Brukselit, por edhe i Uashingtonit, që të hapin më shumë perspektivën evropiane, por edhe perëndimore, për Ballkanin Perëndimor ka krijuar vakum  dhe siç e dimë vakuumi në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk mbetet për një kohë të gjatë, sepse ajo përmbushet nga forcat dashakeqëse ruse, si në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje Hercegovinë. Pra, nëse shohim zhvillimet edhe më herët, jo vetëm këto të fundit pas agresionit rus në Ukrainë, si ato në Maqedoninë e Veriut apo përpjekjes për grusht shtet në Mal të Zi, ne shohim se ky ndikim është rritur në rajon. Dhe aftësia e Qeverisë së Serbisë për të pasur mbështetjen e Rusisë në njërën anë dhe të Perëndimit në anën tjetër, është shfrytëzuar mirë edhe nga Perëndimi për interesat e tyre ekonomike. Ajo për të cilën dua të tërheq vërejtjen është se nuk mund të mbyllësh sytë para kërcënimeve të sigurisë në rajonin e Ballkanit përmes ndikimi rus, dhe në të njëjtën kohë të mbështesësh stabilitetin, duke menduar se status-qoja do të mbetet përgjithmonë.

A ka rajoni bashkëpunim ndërmjet vete për çështje të sigurisë, sidomos tash pas luftës në Ukrainë me Rusinë dhe sulmeve të Hamasit në Izrael, prapa të cilave ka zëra se mund të qëndrojë Irani dhe Rusia?

Çudiq:Do të ishte e papërgjegjshme nga ana ime që të spekuloj për kësi teori, sepse ndjeshmëria e situatës na kërkon që të jemi më të vëmendshëm. Por një gjë është e sigurt, destabilizimi i situatës në Ballkan është në interesin e Rusisë. Tërheqja e vëmendjes nga Ukraina dhe hapja e fronteve të reja është në interes të Rusisë. Rusia nuk po kërkon ndikim në mënyrë paqësore në Ballkanin Perëndimor, ajo nuk po kërkon ndikim politik apo kulturor, ajo kërkon terren jo stabil për ta kontrolluar më lehtë për qëllime të saj. Sa më parë që e kuptojmë këtë, aq më shpejt mund ta orientojmë veten drejt rrugës evropiane, që më gjithë hipokrizinë evropiane, ende mbetet projekti më i mirë i paqes, ku me anëtarësim në BE do të zgjidheshin shumë çështje aktuale të Ballkanit Perëndimor.

Bashkimi Evropian ka problemet e saj të brendshme dhe është treguar shumë letargjik në raport me integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Pas luftës në Ukrainë, BE-ja përmend vitin 2030 si mundësi e integrimit. A besoni në këtë, apo mos ka humbur besimi i vendeve të rajonit në BE?

Çudiq: Deri në një masë ka rënie të besimit në BE nga vendet e rajonit, megjithatë në vende të ndara siç është Bosnje Hercegovina, më shumë se 70 për qind e popullatës e shohin veten në BE. Në të njëjtën kohë procesi i integrimit është i mirë për vendet anëtare. Legjislacioni të cilin ne duhet ta adaptojmë është i mirë për vendin, si depolitizimi i gjyqësorit, masat kundër korrupsionit. E di që i kemi dëgjuar këto shumë, por këto janë gjëra që e rrisin cilësinë e jetës së qytetarëve, pavarësisht anëtarësimit. Dhe për këdo që thotë se BE-ja nuk është zgjidhje për vendet e Ballkanit Perëndimor, atëherë më duhet t’ju kundër përgjigjem se cila qenka zgjidhja?!. Nëse nuk e duam BE-në, cilat janë atëherë alternativat, dhe euro-skeptikët duhet ta thonë hapur se cilat janë alternativat për Ballkanin Perëndimor. Dhe deri sa të mos kemi një zgjidhje tjetër për anëtarësim, mendoj që BE-ja është zgjidhje për qytetarët tanë.

Kosova ka nënshkruar një marrëveshje me Serbinë, në Bruksel, për formimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe. Nga qeveria aktuale e Kosovës kundërshtohet kjo ide, sepse thuhet se krijon një Republikë Serbe brenda Kosovës, një gjë e tillë vazhdimisht është mohuar nga faktori ndërkombëtar?!

Çudiq:Kur analizojmë situatën në Kosovë dhe Ukrainë, unë gjithmonë them se duhet t’i shmangemi Marrëveshjes së Dejtonit dhe gabimeve që janë bërë në Bosnje. Duhet t’jua rikujtoj se në këtë moment Bosnje Hercegovina me gjithë numrin e njerëzve që po largohen, është një vend që ka popullsi rreth  tre milionë banorë, me 13 qeveri që janë shumë të decentralizuara dhe shumë jofunksionale. Në këtë bazë, do ju këshilloja që të keni kujdes se çfarë do të nënshkruani dhe të imagjinonin funksionimin e Kosovës nën ato rregulla, të mendoni për dilemat e sigurisë jo vetëm nën vështrimin aktual të politikës por edhe anën e funksionimit të vendit dhe cilësisë së jetesës. Unë nuk guxoj t’u tregoj kosovarëve se çfarë duhet të bëjnë ose jo me vendin e tyre, por gabimet e bëra në Bosnje duhet të merren parasysh para se të nënshkruani.

Një përshkallëzim eventual i situatës në Ballkan a mendoni se do të mund të dërgonte drejt ndryshimeve të kufijve sidomos në Bosnje e Kosovë, kërkesë kjo shumë hapur e Milorad Dodik, dhe e serbëve lokalë në Kosovë?

Çudiq: Vetëm diskutimi për ndryshim të kufijve në Ballkanin Perëndimor, e jo përpjekjet për të ndryshuar kufijtë, e dimë shumë mirë se si kanë përfunduar ata dhe sa njerëz kanë vdekur në ish Jugosllavi. Unë jam kundër çdo ndryshimi të kufijve apo shkëmbimi të territoreve dhe këtyre ideve që kanë treguar se janë shumë të rrezikshme dhe politikisht jo stabile. Ne duhet të punojmë më  kornizat aktuale që i kemi dhe me anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, të gjithë qytetarët kanë të drejtë të qasjes në mekanizma për të drejtat e njeriut, por jo t’i traumatizojnë gjeneratat e reja edhe për 100 vjetët e ardhshëm përmes shkëmbimit të territoreve. Pra, nuk ka asnjë rrugë të arsyeshme, edhe nëse ka pasur mbështetje politike, për një ide të tillë që ajo të përfundojë pa luftë. Dhe pyetja ime për qytetarët që cilët mbështesin ide të tilla, është se a jeni gati të vdisni për ide të tilla?! Uroj që jo!

Në Këshill të Evropës ju keni qenë shumë e zëshme ku keni kërkuar pranimin e shpejtë  të Kosovës në këtë organizatë, duke thënë se  kjo do të mund të shmangte edhe kërcënimet e Rusisë për rajonin e Ballkanit?

Çudiq: Mendoj se refuzimi i Serbisë për të konsideruar përkrahjen e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës, shpërfaqë hipokrizinë  e regjimit të Vuçiqit. Nëse Serbia deklaron se të drejtat e serbëve në Kosovë janë duke u shkelur, atëherë e vetmja mënyrë për të bërë ankesë për shkeljet e të drejtave që po u bëhet nga Qeveria e Kosovës, ashtu siç thonë ata, është përmes Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo më bën për të besuar se dëshira e Serbisë nuk është për t’i mbrojtur të drejtat e serbëve lokalë, por është për t’i mbajtur pengë ata për t’i përdorur për qëllime të tyre politike. Në këtë kontekst desha të shpërfaqë hipokrizinë e Serbisë në Këshill të Evropës. Unë nuk isha duke folur vetëm në emrin tim, por edhe në emër të të gjithë liberalëve që më janë ofruar për të folur në emër të tyre në Këshill të Evropës. Ne kemi dhënë mbështetjen tonë të plotë për anëtarësim të Kosovës dhe ekspozimin e hipokrizisë së Serbisë, në raport me serbët lokalë të Kosovës.

Bosnje Hercegovina  është vend  i vetëm në rajon që nuk e ka njohur pavarësinë  e Kosovës. A mund  të ketë ndryshime në këtë drejtim?  

Çudiç:Vetëm pak më herët ju tregova për udhëheqjen komplekse që ka Bosnje Hercegovina dhe për atë që Republika Serbe refuzon edhe masat më të moderuara siç është njohja e dokumenteve të udhëtimit, si e drejtë elementare për lirinë e lëvizjes. Fatkeqësisht do ju gënjeja nëse do thosha se ka ndryshime domethënëse në politikën e jashtme të Bosnjës përballë Kosovës. Megjithatë,  po mundohemi që të sigurojmë që përmes Procesit të Berlinit, studentët dhe qytetarët e vendeve tona të lëvizin lirshëm, diçka që unë personalisht jam dëshmitar, ku anëtarë të familjes sime që janë kosovarë, nuk mund të lëvizin. Ajo që shpresoj është që si hap i parë të jetë normalizimi i raporteve ndërmjet vendeve tona. Kërkoj më shumë durim dhe mirëkuptim nga kosovarët që të kuptojnë se politika jonë e jashtme është delikate, sepse ka një koordinim me Republikën Serbe dhe të gjithë mekanizmat e tjerë të spektrit politik që përbëjnë qeverinë. Në këtë kontekst, fatkeqësisht, nuk do të shohim përparim.

Në trend Lajme

Më shumë
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Siguri
Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Siguri
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Lajme
Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Lajme
Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Siguri
Kalo në kategori