Një deputet letonez ka udhëtuar në Ukrainë për të luftuar kundër forcave ruse, ka konfirmuar ministri i drejtësisë i Letonisë.

Juris Jurass, i cili është kryetar i Komitetit të Çështjeve Ligjore të Parlamentit Letonez, i është bashkuar një liste në rritje të luftëtarëve të huaj në Ukrainë.


“Ai ka dalë vullnetar për të mbrojtur territorin e Ukrainës dhe për të luftuar kundër pushtuesve”, tha të martën Ministri i Drejtësisë, Janis Bordans.

“Ai e mori vendimin bazuar në parimet private dhe morale”, tha ai, raporton euronews.

Jurass, 46 vjeç, është anëtar i Partisë së Re Konservatore, e cila kryesohet nga Bordans.

Ukraina ka krijuar një legjion "ndërkombëtar" për njerëzit nga jashtë dhe presidenti, Volodymyr Zelensky u ka kërkuar publikisht të huajve të luftojnë përkrah ukrainasëve.

Ukraine4Freedom, një projekt vullnetar nga studentët në Universitetin Kombëtar të Akademisë së Kyiv-Mohyla, shkroi gjithashtu në Twitter se Jurass ishte bashkuar me një njësi legjioni të huaj.

Asambleja Letoneze (Saeima) nuk ka komentuar më tej vendimin e deputetit.

Jurass kishte marrë pjesë më parë në protestat kundër luftës në Letoni dhe ishte fotografuar duke mbajtur një pankartë ku shkruhej "Jo luftë". /Telegrafi/