Dënim me vdekje ish-ministrit të Gaddafit

Ahmed Ibrahim ka mbajtur disa poste të rëndësishme gjatë regjimit të Gaddafit, përfshirë këtu Ministër Arsimi dhe Edukimi. Ai u kap në 2011 në Sirte.
Sipas akuzës së ngritur kundër tij, Ibrahim ka organizuar grupe të armatosura dhe mercenarë me pagesë për të luftuar kundër rebelëve në këtë qytet.
Sipas kodit penal vendas, Ibrahim do të ekzekutohet duke u pushkatuar, transmeton TCH.
Megjithatë, avokati mbrojtës i tij tha për agjencinë e lajmeve Reuters se vendimi duhet të miratohet nga Gjykata Supreme e vendit, para se të zbatohet.
Qeveria e re libiane është shprehur e vendosur për të ndëshkuar të gjithë bashkëpunëtorët dhe familjen e Gaddafit. Por, aktivistët e të drejtave të njeriut kanë ngritur pikëpyetje mbi procedurat e ndjekura nëse ato i përmbushin standardet ndërkombëtare apo jo.
Dhjetëra procese gjyqësore ndaj mbështetësve dhe të afërmve të Gaddafit janë në zhvillim e sipër. Shumë të tjerë kanë përfunduar, ndërsa gjyqi më i rëndësishëm, ai ndaj djalit të ish-diktatorit të Libisë, Saif al-Islam, pritet të nisë brenda gushtit. /Telegrafi/

















































