LAJMI I FUNDIT:

Demokraci Plus: Kuvendi të kërkojë opinione nga Komisioni i Venecias për Projektligjin për Konfiskimin e Pasurisë

Demokraci Plus: Kuvendi të kërkojë opinione nga Komisioni i Venecias për Projektligjin për Konfiskimin e Pasurisë
Foto: Arkiv

Demokraci Plus kërkon që pasuria e fituar nga korrupsioni dhe abuzimi me detyrën publike duhet të trajtohet në mënyrë urgjente.

Kjo organizatë përmes një njoftimi për media, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës të kërkojë komente nga Komisioni i Venedikut lidhur me Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.


“Duke qenë një problem kompleks, zgjidhjet që ofrohen duhet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare që balancojnë të drejtat e individit me ato të interesit të përgjithshëm. D+ ka reaguar edhe më parë për çështjen e mosrespektimit të afatit për konsultime publike për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, shkelje kjo nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Duke qenë se për herë të parë synohet të aplikohet konfiskimi civil për pasurinë e pajustifikueshme, por edhe duke i marrë për bazë shqetësimet e shumta për përmbajtjen e projektligjit nga organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertët e së drejtës kushtetuese, kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës që Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ta dërgojë për opinion në Komisionin e Venedikut”, thuhet në njoftim.

D+ thekson se vetëm duke u siguruar që ky Projektligj është në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, mund të dëshmohet përkushtimi i njëmend i institucioneve në luftimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Në fund, sipas tyre refuzimi ndaj marrjes së opinioneve nga mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë në procese juridike komplekse si ky, vetëm sa minojnë besimin e publikut dhe forcojnë zërat që kjo iniciativë ka për qëllim vetëm shuarjen e zërave kritikë dhe jo luftimin e korrupsionit në vend. /Telegrafi/