Vetëm dëmet materiale të shkaktuara nga tërmeti në Turqi, kalojnë shumën e 100 miliardë dollarëve, sipas përllogaritjes paraprake të Bankës Botërore, OKB-së, Bashkimit Evropian dhe Qeverisë në Ankara.

“Një muaj pas tërmetit që ia mori jetën më shumë se 46 mijë njerëzve në Turqi, tashmë është e qartë se vetëm dëmet materiale do të jenë më shumë se 100 miliardë dollarë”, tha Louise Winton, drejtuese e Programit të Zhvillimit të OKB-së në Turqi, transmeton Telegrafi.


Ajo tha në video-konferencën e OKB-së në Gjenevë nga Gaziantep, Turqi, se "kostot e rindërtimit dhe gjithçka që shkon me një rindërtim më të mirë dhe më ekologjik, padyshim do ta tejkalojë atë shumë".

2 20

“Vlerësimet janë ende të bazuara në të dhënat paraprake, por shifra e dëmit prej 100 miliardë dollarësh do të paraqitet në Konferencën e Donatorëve të Rindërtimit të 16 Marsit në Bruksel”, tha Winton.

Ajo shprehu "zhgënjim dhe trishtim" për mungesën e bujarisë së donatorëve, duke treguar se vetëm 9.6 për qind e ndihmës prej 1 miliard dollarësh të kërkuar urgjentisht më 16 shkurt, është përmbushur deri më tani.

3 15

Pothuajse 46 mijë njerëz vdiqën dhe 105 mijë u lënduan në tërmetin e 6 shkurtit me magnitudë 7.8 dhe më pas me magnitudë 7.6 në Turqi, por bilanci është ende i paplotë.

Në 11 nga 81 provincat e Turqisë, 214 mijë ndërtesa u shkatërruan ose u dëmtuan, disa prej të cilave ishin më shumë se 10 kate të larta. /Telegrafi/