LAJMI I FUNDIT:

Deklarohet Qeveria e Kosovës pas letrës së zyrtarëve të BE-së

Deklarohet Qeveria e Kosovës pas letrës së zyrtarëve të BE-së
Foto: Ilustrim

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi ka komentuar letrën e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dërguar kryeministrit Ramush Haradinaj, në të cilën thuhet presidenti Hashim Thaçi udhëheq me dialogun.

Gashi në një deklaratë për Telegrafin thekson se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për dialog me Serbinë dhe mbështet Thaçin në këtë proces, por bazuar në kompetencat e tij kushtetuese.


“Qeveria e Kosovës në baza të rregullta komunikon me Bashkimin Evropian. Ne jemi të përkushtuar për dialog. Bazuar në kompetencat që ka, Qeveria është e angazhuar me të gjitha kapacitetet e saja për një dialog konstruktiv dhe në të njëjtën kohë respekton dhe mbështet Presidentin në këtë proces, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese”, tha Gashi.

Ndryshe, pas letrës së zyrtarëve të BE-së drejtuar Haradinajt ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Po ashtu një reagim ka ardhur edhe nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ku theksuan se letra e përfaqësuesve të lartë të BE-së drejtuar kryeministrit Ramush Haradinaj paraqet përpjekje për ta kontestuar kornizën demokratike të vendimmarrjes në Kosovë, si dhe lidh dialogun me emra të individëve. /Telegrafi/