LAJMI I FUNDIT:

Dekada e informimit online: 10 vjet me Telegrafin

Dekada e informimit online: 10 vjet me Telegrafin

10. Te 1-shi dhe 0-ja bazohet Algjebra e Bulit, që u prezantua më 1847. Askush atëbotë nuk besonte se 100 vite më vonë, këta dy numra do të bëjnë transformimin më të madh teknologjik dhe shoqëror në historinë e njerëzimit – atë që do të njihet si Epoka Informatike. 10 vite më parë themelohet portali i lajmeve Telegrafi.com, për t’u bërë nxitësi i Epokës së Re të Informimit ndër shqiptarë.

9. Numri 9 është 3-shi i shenjtë në fuqi. Janë 9 muza, 9 substanca universale dhe 9 muaj drejt një jete të re. Ky është numri simbol i fuqisë. Janë edhe 9 parime bazike në gazetari. E, 9 shkronja i ka Telegrafi.


8. Para 8 vitesh, Kosova shpalli pavarësinë. Rritja, sukseset dhe dështimet e këtij shteti i pasqyroi Telegrafi. Kurrë më parë historia e një shteti nuk është shkruar në kohë reale, që nga dita e parë e themelimit. Si asnjëherë më parë, secili ka shansin ta njohë lehtë të sotmen e ta studiojë të djeshmen. Me mbi 500,000 lajme, Telegrafi është biblioteka më e madhe shqiptare në internet.

7. Bota u krijua për 6 ditë, por të 7-ën ditë më nuk ka pushim. Sepse, për 7 ditë në javë Telegrafi informon për lajmet nga 7 kontinentet. Legjendat dhe mitet sot thyhen: prapa 7 lumenjve, 7 maleve e 7 deteve është veç edhe një lajm. Ai lajm vjen dhe të gjithë jetojnë – të informuar, përgjithmonë!

6. Janë 6 yje te flamuri i Kosovës, e në 6 shtete të Ballkanit shqiptarët janë të ndarë. Të gjithë ata sot i bashkon informimi i shpejtë, i saktë, i paanshëm dhe falas – misione këto që Telegrafi ia vuri vetes që në ditën e parë të themelimit, bashkë me ndjekjen dhe implementimin e trendeve dhe risive teknologjike. Shqiptari sot, këtu apo në diasporë, është i barabartë në qasjen tek lajmi! Numri 6 është cilësuar si numri më perfekt, sepse është shuma e pjesëve të saj. Por, 6-shi është simbol i ndarjes së shqiptarëve! Në vitin e 6-të të themelimit, Telegrafi ishte simbol i bashkimit dhe rrugës pa kthim të medieve në gjuhën shqipe drejt informimit online!

5. Janë 5 shqisa dhe 5 gishta në dorë. Më 2011 ishte 5-vjetori i Telegrafit. Këtë vit nis përdorimi masiv i telefonave të zgjuar ndër shqiptarë. Përmes Telegrafit bëhen bashkë shqisat e perceptimit, për një pasqyrë më të saktë të botës rreth nesh. Nga ky vit nis edhe një risi në marketing: reklamimi në tërë trevat shqiptare, me pamje, sipas modeleve të medieve më të mëdha të botës. 5 vite më vonë, më 2016, instalohet aplikacioni i ri ideal për reklamimin dhe zgjerimin e bizneseve – për ta përhapur fjalën, më së miri! Sepse, 5-shi është simbol i unitetit, është yll fare!

4. Në 4 skaje të botës, më 26 dhjetor 2010 u dha lajmi se Facebook-u e ka tejkaluar faqen Yahoo me numrin e vizitorëve. Telegrafi është themeluar 4 vite para këtij lajmi. Atëherë Telegrafi veç ishte i etabluar si pikë referimi, si adresë që mbahet mend dhe shkruhet në shfletuesit e internetit. Thjesht e mirë, Telegrafi.com.

3. Numri 3 është simbol i mendimeve të mira, i fjalëve të mira dhe i veprave të mira. Në përvjetorin e 3-të, Telegrafi vazhdoi të përçojë lajmin në botën e dominuar nga gazetat. Pakkush atëbotë kishte besuar se ky medium do të mbijetojë e aq më pak se do të jetë model për mediet shqiptare. Por, kjo u arrit falë lexuesve, numri i të cilëve që atëherë ishte 3 herë më i madh se tirazhi i tërë medieve të shtypura në Kosovë. Kështu, Telegrafi u shndërrua në vepër të madhe të informimit në gjuhën shqipe.

2. Gjërat e mira thonë se vijnë në çift. Janë 2 dialekte të gjuhës shqipe, e më 2008 u bënë edhe 2 shtete shqiptare. Janë 2 anë – majtas e djathtas – e Telegrafi sheh para. Kështu, Kosova, më 26 dhjetor 2016 ka numrin më të madh të përdoruesve të internetit në rajon: 1.52 milionë, apo 81 për qind e popullatës. Pra, shqiptari më shumë se kurrë është i informuar dhe i kyçur në rrjetin global të lajmeve – pa censurë! Në këtë ngritje merita ka edhe Telegrafi – portali më i vjetër i Kosovës së re: i lindur para Newborn-it!

1. Me 1 fillon numërimi. Gjithçka është shumësi e 1-shave. Telegrafi më 2007 shënoi përvjetorin e 1-rë të ekzistencës. E, sot, dekadën e 1-rë. Një rritje që nuk ndalet. Ditë pas dite; vit pas viti; dekadë pas dekade… 1 nga 1!

0. Kodet binare në eter sundojnë Tokën. Një ide do ta ndryshojë përgjithmonë shoqërinë shqiptare dhe qasjen e saj në informata. Më 26 dhjetor 2006, starton portali i lajmeve Telegrafi.com. Një epokë e re në botën e medieve shqiptare lindi! E, me të lindi edhe lexuesi dhe forma moderne e marketingut dhe e reklamimit. Sot jemi 45 punëtorë të një tërësie, por stafi çdo vit po rritet – në redaksinë qendrore në Kosovë dhe redaksinë në Maqedoni; çdo vit shtohet prodhimi, rubrikat dhe risitë teknologjike; çdo vit jemi më afër njëri-tjetrit. Viti 0 dhe klikuesi i 1-rë krijoi një binom të pandarë drejt rritjes dhe zhvillimeve që nuk u ndalën kurrë: 01010100 01100101 01101100 01100101 01100111 01110010 01100001 01100110 01101001 – Telegrafi.

Ju falënderojmë juve, vizitorë dhe partnerë të nderuar. Nga ju rritemi, për ju ngritemi. Pa ju jemi: 0! Me ju jemi: 1!

10 vjet me Telegrafin

10 – 00110001 00110000 00100000
vjet – 01110110 01101010 01100101 01110100
me – 01101101 01100101
Telegrafin – 01010100 01100101 01101100 01100101 01100111 01110010 01100001 01100110 01101001 01101110

– . .-.. . –. .-. .- ..-. ..

Telegrafi.com në Twitter

Telegrafi.com në Facebook

Telegrafi.com në Instagram