Rruga e shumëpërfolur  “17 shkurti”në Godanc të Shtimes që u përurua rreth katër muaj më parë, ka nis të degradohet. Kjo rrugë që lidh disa fshatra në drejtim të Gjyrkocit me gjatësi prej rreth 3 kilometra ka kushtuar gjithsejtë 570 mijë eurosh.

Këtë aks të rrugës të hënën e kanë vizituar ekipet e opozitës nga Partia Demokratike e Kosovës, dega në Shtime. Ndërkohë nëpërmjet një shkrese ky subjekt ka kritikuar qeverisjen lokale për keqmenaxhim të projekteve dhe për cilësi të dobët të punimeve.


viber image 2024 12 16 14 32 57 646

“Ky projekt i dështuar nuk është vetëm një çështje teknike, por është tregues i mungesës së përgjegjësisë dhe transparencës nga ana e udhëheqjes komunale. Si është e mundur që një rrugë e ndërtuar nga fillimi të pësojë dëmtime kaq serioze brenda një periudhe kaq të shkurtër. Kjo tregon një model të keq të menaxhimit të dobët dhe neglizhencës nga qeverisja e Vetëvendosjes në Shtime. Ndërkohë që qytetarët presin projekte të qëndrueshme dhe cilësore, por ata përballen me dështime që i rëndojnë edhe më shumë financat dhe jetën e përditshme”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Ky subjekt opozitar në Shtime ka kërkuar nga Komuna të marrin përgjegjësinë e plotë duke e cilësuar si “skandal” degradimin e rrugës. Njëkohësisht kanë kërkuar të zbatojnë masat e nevojshme për riparimin e rrugës në mënyrë urgjente.

Në anën tjetër, telegrafi u ka dërguar pyetje Komunës së Shtimes lidhur me këtë çështje por deri në momentin e raportimit nuk janë përgjigjur.

Kujtojmë se gjatë përurimit të kësaj rruge, kryetari i Komunës së Shtimes Qemajl Aliu pati thënë se është një projekt mjaftë i rëndësishëm për qytetarët me arsyetim se i lidh disa fshatra të kësaj komune.

“Kjo është rruga “17 shkurti”në Godanc, diku 2.8 kilometra dhe është e financuar nga Ministria e Ambientit dhe Infrastrukturës sëbashku me Komunën e Shtimes. Është një projekt që është implementuar në afate kohore dhe cilësore. Është shumë e rëndësishme për Komunën e Shtimes sepse i lidh fshatrat prej Pjetërshticës, Carralevës, Zborcit dhe Godancit të cilat dalin dalin në fshatin Gjyrkoc dhe përmes kësaj pa pasur nevojë të krijohet ngarkesë dhe trafik në qytetin e Shtimes, mund të shkojnë në Lipjan, Prishtinë, Ferizaj por edhe në aeroportin e Prishtinës”, pati thënë Aliu. /Telegrafi/

viber image 2024 12 16 14 32 57 403