LAJMI I FUNDIT:

Deficiti i SHBA-ve arrin në 778 miliardë dollarë

Deficiti i SHBA-ve arrin në 778 miliardë dollarë

Deficiti i buxhetit federal në SHBA u rrit në nivelin më të lartë në 6 vite për vitin fiskal 2018, prej rritjes së shpenzimeve, sipas administratës së Donald Trump. Deficiti u rrit në 779 miliardë dollarë, në rritje me 113 miliardë dollarë, apo 17% nga viti i kaluar, sipas një deklarate të sekretarit të Thesarit, Steven Mnuchin.

Ky është niveli më i lartë që prej vitit 2012, ku preku 1 trilionë. Në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, deficiti buxhetor u rrit në 3.9%. Të ardhurat federale u rritën fare pak, me 14 miliardë dollarë, pasi republikanët kanë shkurtuar taksat për korporatat dhe shumicën e individëve.


Daljet u rritën me 127 miliardë dollarë, apo 3.2%, kryesisht prej rritjes së shpenzimeve në mbrojtje, kujdes shëndetësor dhe siguri sociale. Administrata e Trump dhe republikanët në kongres kanë premtuar se do të angazhohen në disiplinë fiskale, pavarësisht kalimit të ligjit të ri të taksave që projekton rritjen e ashpër të deficitit buxhetor.

Republikanët kanë argumentuar se fuqizimi i ekonomisë amerikane do të shtojë të ardhurat e Qeverisë, duke justifikuar reduktimin e taksave. Megjithatë, analistët kanë paralajmëruar se plani tatimor do të shkaktojë rritjen e madhe të deficitit buxhetor, pavarësisht rritjes së fortë ekonomike.

Departamenti i Thesarit bëri të ditur se faturat të lidhura me kategorinë “akciza, doganat e të tjera”, u rritën me 35 miliardë dollarë në Shtator 2018, një rritje me 35% nga viti i kaluar.

Megjithatë, nuk është ende e ditur se sa për qind e këtyre të ardhurave lidhen me tarifat e Trump ndaj partnerëve kryesorë tregtarë. /Telegrafi/