Drejtori i Barcelonës, Deco, ka zbuluar klubin i cili ka bërë një përpjekje serioze për të nënshkruar me Lamine Yamal vitin e kaluar.

17-vjeçari ka mahnitur botën e futbollit që prej se u bë pjesë e ekipit të parë të Barcelonës në fillim të sezonit të kaluar.


Yamal është tashmë fitues i Kampionatit Evropian me Spanjën dhe ka luajtur rol kyç në triumfin e Barcelonës këtë sezon në La Liga.

Ai është tashmë një kandidat serioz për Topin e Artë 2025, pasi kishte fituar trofeun Kopa në vitin 2024 si lojtari i ri më i mirë në botë.

Por në rast se ai do të ishte transferuar tek një klub tjetër evropian, karriera e Yamal mund të kishte marrë një rrugë krejtësisht tjetër.

Deco, i cili ka luajtur për klubin mes viteve 2004 dhe 2008, ka zbuluar se Barcelona u desh ta refuzonte interesimin e Paris Saint-Germainit për shërbimet e Yamal.

“Sezonin e kaluar ata (PSG) erdhën për të pyetur për atë, por këtë vit ende jo, por ne duam që ai të qëndrojë dhe ta shijojmë Lamine për një kohë të gjatë”.

“Paris Saint-Germaini erdhi për të pyetur, ndërsa Real Madridi jo”, ka thënë Deco.

Ndryshe nga futbolli anglez, aty ku transferimet e lojtarëve nën moshën 18-vjeçare janë të ndaluara, PSG-ja do mund të kishte transferuar Yamal verën e kaluar, për aq kohë sa ata do t’i përmbaheshin rregullave strikte për edukimin dhe mirëqenien e lojtarit.

Skuadra e Luis Enriques ka ndryshuar qasjen e saj në sezonet e fundit, duke nënshkruar një numër të madh lojtarësh francezë, me lojtarë si Ousmane Dembele dhe Desire Doue midis atyre që po shkëlqejnë për klubin këtë sezon./Telegrafi/

telegrafi sport app