LAJMI I FUNDIT:

Debat i nxehtë për mishin e prishur

Debat i nxehtë për mishin e prishur

Për skandalet e fundit me produktet mishit, kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore në tryezën lidhur me çështjen e importimit dhe përpunimit të mishit, Duda Bale ka thënë se nuk janë kundër prodhuesve dhe përpunuesve të mishit, por sipas saj nuk duhet të ketë në treg mish të prishur dhe skandale siç po ndodhin kohëve të fundit.

Sipas saj, konsumatorët po hasin në produkte mishi jo cilësore. Ajo është e bindur se ka parregullsi në tregun e mishit.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Valdet Gjinovci, ka thënë se ky institucion ka asgjësuar mish të prishur me origjinë nga Belgjika i prodhuar më 2004 dhe po ashtu edhe në vitin 2017 është kapur mish nga Belgjika dhe është asgjësuar.

“Nuk kemi lejuar të futet në Kosovë ky lloj i mishit të vjetër, ka qenë transparent rasti dhe është raportuar në vazhdimësi. Autoritetet e Belgjikës tash së fundmi kanë marrë masa në Belgjikë ndaj kompanisë së përfolur”, tha Gjinovci.

Ai ka shtuar se në vitin 2017, janë asgjësuar mbi 500 tonë mallra ushqimore.

“Nuk qëndron fakti, se ne nuk po punojmë për gjetjet e mishit të prishur. Andaj, në Kosovë nuk është shitur mish i prishur nga Belgjika, ngase kemi asgjësuar në momentin e futjes në Kosovë”, tha Gjinovci.

Ai ka garantuar se në rrugët legale nuk ka import të mishit të prishur.

Shefja e inspeksionit në komunën e Podujevës, Florije Besholli, ka thënë se për çdo parregullsi kanë bërë kontrolle ndaj pesë mishtoreve në Podujevë dhe operatorëve ekonomikë në këtë komunë, por nuk kanë hasur në parregullsi.

Po ashtu edhe zyrtarë të komunës së Prizrenit, kanë thënë se janë në mbikëqyrje mishtoret dhe operatorët ekonomikë, ku thotë se nuk kanë hasur mish të prishur nga Belgjika.

Mirëpo, kryetarja e Komisionit Duda Balje është habitur me deklaratën e Islam Thaçi, inspektor nga komuna e Prizrenit, dhe sipas saj situata me mish në këtë regjion është më ndryshe.

Lavdim Sadiku nga Apetit Group ka thënë se janë të shqetësuar me gjendjen e krijuar në treg të mishit, ai tha se në kompaninë e tij, nuk kanë pasur probleme, sepse i respektojnë të gjithë rregullat dhe standardet.

Edhe deputetja Lirie Kajtazi ka thënë se gjendja e tregut të mishit është shqetësuese dhe, sipas saj, konsumatorët hasin në produkte të masakuar për afatet e qëndrueshmërisë.

Deputetja Luljeta Veseaj – Gutaj, ka kërkuar nga kryeshefi i AUV-së që të tregojë për emrat përpunuesve dhe prodhuesve të mishit dhe operatorët ekonomikë që janë konfiskuar dhe asgjësuar mallrat e mishit. /KP/Telegrafi/