“Gjithçka nisi si një lidhje e heshtur, një miqësi që u shndërrua shpejt në diçka të thellë”, tregon bukuroshja nga Gjakova në një rrëfim për prestigjiozen ‘Vogue Italia’.

Kleofina Pnishi dhe Benjamin Pavard u njohën tetë vite më parë përmes miqve të përbashkët dhe sapo janë martuar në Bregdetin e Amalfit.


“Për martesën tonë donim që çdo gjë të ishte personale, emocionale dhe të pasqyronte në mënyrë autentike udhëtimin tonë së bashku. Një event intim, por spektakolar, i organizuar nga organizatorja e dasmave, Silvia Bettini. Më shumë se gjithçka tjetër, dëshironim që të ftuarit tanë të ndienin dashurinë kudo”, vazhdon Kleofina.

Foto: Vogue Italia

“Dashuria triumfon mbi gjithçka”, ishte motoja e dasmës, një frazë që u qëndis në latinisht edhe në pjesën e brendshme të fustanit të saj të bardhë.

Fustani i nusërisë me korse në formë V dhe krinolinë

Për ceremoninë në Ravello, çifti zgjodhi një stil të thjeshtë dhe elegant. Kleofina veshi një fustan nga Danielle Frankel dhe pas ceremonisë, një fustan nga Versace.

Ndërsa për ceremoninë kryesore, të dy zgjodhën ngjyrën e bardhë. Nusja kishte veshur një fustan të punuar me porosi nga Nicole + Felicia, me një korse skulpturore në formë V, fund të gjerë me krinolinë dhe një vello të gjatë.

Për ‘after-partyn’, zgjodhi dy pamje të ndryshme nga Fjolla Haxhismajli: një fustan të gjatë dhe një të shkurtër. Pasdite, Kleofina u shfaq me një fustan të qëndisur me dorë nga mikja e saj, Diana Qerimi.

Foto: Vogue Italia

Dhëndri zgjodhi Giorgio Armani

“Benjamin gjithmonë ka qenë një admirues i madh i elegancës së përjetshme të Giorgio Armanit dhe prej vitesh thoshte se do të vishej me këtë markë në ditën e dasmës. Ishte një zgjedhje e natyrshme dhe në përputhje të plotë me stilin dhe personalitetin e tij”, tregon tutje nusja.

Për ceremoninë civile, Benjamin kishte veshur një kostum të bërë me porosi nga Giorgio Armani, më pas zgjodhi një kostum në ngjyrë gri-të zezë, gjithashtu Armani.

Foto: Vogue Italia

Për ceremoninë fetare, ai zgjodhi një të bardhë, të bërë me porosi, me dizajn dhe me detaje që i referoheshin fustanit të nuses.

Detaje të veçanta

Kostumi i bardhë i Benjamin-it për ceremoninë ishte zbukuruar me një spile të firmës Damiani, ndërsa nusja kishte zgjedhur një palë vëthë nga Repossi.

Buqeta ishte romantike dhe delikate, në tonet e bardha dhe rozë, dukej sikur sapo ishte mbledhur nga një kopsht. Unazat e martesës, të frymëzuara nga peizazhi i detit, u krijuan nga Repossi me teknikën e tyre ikonike “Serti sur Vide”.

Foto: Vogue Italia

Grimi ishte i ndritshëm dhe natyral, me ngjyra të ngrohta dhe lëkurë rrezatuese.

Martesa e tyre zgjati tri ditë

Martesa e Benjamin Pavard dhe Kleofina Pnishi zgjati tre ditë të mbushura me bukuri, në vende si Ravello, Cava de’ Tirreni dhe Vietri sul Mare.

Një udhëtim intim në zemër të Bregdetit të Amalfit, realizuar me përpikmëri nga Silvia Bettini.

Foto: Vogue Italia

Dita e parë nisi me një ceremoni civile intime në Bazilikën e Shën Eustakut në Ravello, e ndjekur nga një darkë në vilën ikonike La Rondinaia.

Dita e dytë iu përkushtua ceremonisë fetare, e zhvilluar në Abacinë Benediktine të Trinisë së Shenjtë në Cava de’ Tirreni.

Pas ceremonisë, festa vazhdoi në “Giardini del Fuenti” në Vietri sul Mare. Dekorimi me lule, i kuruar nga The Blond Floëer, ishte minimalist por efektiv.

Menuja u përgatit nga restoranti “Volta del Fuenti” dhe përfshinte tri pjata të rafinuara të kuzhinës mesdhetare.

Pas prerjes së tortës, një spektakël fishekzjarrësh ndriçoi qiellin nën tingujt e këngës “Viva La Vida” nga “Coldplay”.

Eleganca e përjetshme

Frymëzimi i përgjithshëm i dasmës ishte eleganca e përjetshme, e pasuruar me referenca kulturore.

“Nuk donim asgjë që të dukej e ndërtuar artificialisht - gjithçka duhej të ndjehej natyrale, emocionale dhe plot kuptim”, rrëfen Kleofina.
Çifti zgjodhi një paletë ngjyrash të buta: fildish, rozë, nuanca ari të zbehta dhe të gjelbër natyral.

Një lojë kontrastesh mes linjave bashkëkohore dhe mjediseve historike, butësisë dhe strukturës, traditës dhe spontanitetit.

Lokacioni i “Giardini del Fuenti”, mes qiellit dhe detit, i dha një ndjesi edhe më magjike gjithçkaje.

“E kishim imagjinuar fundjavën si një rrëfim që rrjedh si një histori: momente të qeta, rite emocionuese dhe më pas festa plot jetë. Një nga momentet më të paharrueshme ishte hyrja që i bënte nder traditës shqiptare. Kur filluan tingujt e violinës me këngën tradicionale ‘Baresha’, e gjithë familja ime u mblodh dhe filloi të vallëzonte para se të niste darka. Ishte një moment i fuqishëm dhe plot gëzim, një dedikim i vërtetë për rrënjët tona. Në atë çast, babai im vendosi mbi kokën time një 'plis' - kapelën tradicionale shqiptare - simbol i respektit dhe lidhjes me kulturën tonë”, përfundon me emocion Kleofina. /Telegrafi/

Foto: Vogue Italia

Foto: Vogue Italia

Foto: Vogue Italia

Foto: Vogue Italia

Foto: Vogue Italia

Foto: Vogue Italia

Foto: Vogue Italia

Foto: Vogue Italia

Foto: Vogue Italia

Foto: Vogue Italia