DASH e falënderon Kosovën që e shpalli organizatë terroriste IRGC-në

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vlerësuar Kosovën për qëndrimin e saj të qartë kundër terrorizmit.
Një vlerësim i tillë vjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shpalljen e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) si organizatë terroriste.
Sipas Byrosë për Kundërterrorizëm në Departamentin Amerikan të Shtetit, ky hap shihet si një tregues i përkushtimit të Kosovës ndaj sigurisë ndërkombëtare dhe luftës kundër terrorizmit.
“Faleminderit Kosovës për qëndrimin kundër terrorizmit dhe për shpalljen e IRGC-së si organizatë terroriste”, shkruan DASH në platformën X.
Ndryshe, më 20 prill Qeveria e Kosovës ka marr vendim për shpalljen e Organizatës së Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) si organizatë terroriste në territorin e Republikës së Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti tha se ky vendim synon forcimin e bazës ligjore dhe strategjike të vendit në raport me sigurinë ndërkombëtare dhe luftën kundër terrorizmit.
“Ky propozim vendim paraqet bazën ligjore dhe strategjike për shpalljen e trupave të Gardës Revolucionare Islamike si organizatë terroriste në Republikën e Kosovës. IRGC-jq është identifikuar si një strukturë që përdor terrorizmin dhe dhunën e organizuar si instrument të politikës së jashtme, duke kontribuar në destabilizimin rajonal dhe global. Përmes këtij vendimi, Kosova forcon qëndrimin e saj në mbrojtje të sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut. Është një pozicion i qartë i Kosovës dhe të aleatëve të saj në luftën e përbashkët në luftën kundër terrorizmit”, tha Kurti. /Telegrafi/
We thank Kosovo for standing against terrorism and designating the IRGC as a terrorist organization. https://t.co/aX29dQasVU
— State Dept CT Bureau (@StateDeptCT) April 23, 2026






















































