Çudia në Kanada - u zhduk pa lënë gjurmë, ishulli misterioz rishfaqet në një tjetër vend

Një ishull misterioz i mbuluar me pemë, i cili u shfaq dhe më pas u zhduk nga një rezervuar në British Columbia të Kanadasë, është gjetur sërish më shumë se 29 kilometra larg vendit ku ishte parë fillimisht.
Ishulli lundrues u vu re nga banorët në rezervuarin Williston dhe më pas u konfirmua nga kompania energjetike B.C. Hydro përmes pamjeve satelitore më 20 korrik.
Deri më 5 gusht, ai nuk shfaqej më në imazhet satelitore.
Sipas B.C. Hydro, ishulli është krijuar gjatë disa viteve nga grumbullimi i trungjeve dhe mbetjeve përgjatë bregut.
Me kalimin e kohës, mbi to kanë zënë rrënjë bimë dhe pemë, duke krijuar një masë toke që qëndron mbi ujë.
Ekspertët besojnë se rritja e nivelit të ujit bëri që kjo masë të shkëputej nga bregu dhe të lëvizte nëpër rezervuar.
B.C. Hydro ka paralajmëruar vizitorët të qëndrojnë larg tij, pasi struktura është e paqëndrueshme dhe përbëhet kryesisht nga trungje dhe mbetje drusore të kalbura.







































