LAJMI I FUNDIT:

Çmimi Nobel 2021 për Fizikë iu dha Syukuro Manabe, Klaus Hasselmann dhe Giorgio Parisit

Çmimi Nobel 2021 për Fizikë iu dha Syukuro Manabe, Klaus Hasselmann dhe Giorgio Parisit

Çmimi Nobel për Fizikë u është dhënë shkencëtarëve Syukuro Manabe, Klaus Hasselmann dhe Giorgio Parisi, për punë novatore në parashikimin e ndryshimeve klimatike dhe për të kuptuarit e sistemeve komplekse fizike.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Manabe, 90 vjeç dhe Hasselmann, 89, u nderuan bashkërisht për “modelimin fizik të klimës së Tokës, përcaktimin e ndryshueshmërisë dhe parashikimin e besueshëm të ngrohjes globale”, sipas njoftimit për shtyp nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave.


Ndërsa fizikani italian Parisi, 73 vjeç, mori gjysmën tjetër të çmimit, për “zbulimin e ndërveprimit të çrregullimit dhe luhatjeve në sistemet fizike nga shkallët atomike në planetare”.

Treshja u shpall fituese në një konferencë shtypi të martën në Stokholm, Suedi.

Puna e Manabe në vitet 1960 “hodhi themelet për zhvillimin e modeleve aktuale të klimës”, tha Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave në një deklaratë, ndërsa Hasselmann “krijoi një model që lidh së bashku motin dhe klimën” një dekadë më vonë.

Ndërkohë zbulimet e Parisi “bëjnë të mundur kuptimin dhe përshkrimin e shumë materialeve dhe fenomeneve të ndryshme dhe në dukje krejtësisht të rastësishme komplekse”.

Kjo nuk është e vërtetë vetëm për fizikën, por edhe për fusha të tjera, të tilla si matematika, biologjia, neuroshkenca dhe mësimi i makinerisë, shtoi akademia. /Telegrafi/