LAJMI I FUNDIT:

Çmimet V&A për ilustrimet më të mira

Çmimet V&A për ilustrimet më të mira

Për të pesëdhjetën herë me radhë, V&A ka shpallur fituesit e çmimeve vjetore për ilustrime, që përfshijnë temat nga disleksia deri te flokët e zeza. Përzgjedhjen e ditores The Guardian, Telegrafi e sjell si më poshtë.


Çmimi kryesor për ilustrim libri: Gérard DuBois u angazhua për ta ilustruar botimin e ri të shtëpisë “Folio Society”, për veprën “The Road” nga Cormac McCarthy. Pikturat e tij akrilike, të përshkruara nga juria si “kryevepra”, kapin bukurinë dhe brutalitetin e tekstit të McCarthy-it. Fituesit u zgjodhën nga juria e ilustruesve: Dapo Adeola, Ann Kiernan, Axel Scheffler dhe Posy Simmonds, nën kryesinë e drejtorit të V&A-së, Tristram Hunt. Fituesit u shfaqen në një ekspozitë jubilare të V&A-së, së bashku me fituesit e mëparshëm

Gérard DuBois, “The Road” nga Cormac McCarthy: Vepra e realizuar nga DuBois përshkruan një burrë dhe një djalë që bëjnë një udhëtim torturues nëpër Amerikën post-apokaliptike, me shpresën e shpëtimit. Në ilustrime, momentet më prekëse mes babait dhe djalit na japin pika shprese mes shkretisë. Posy Simmonds i përshkroi veprat si “të mrekullueshme, të pasura, prekëse dhe melankolike”.

Vendi i dytë për ilustrim libri: Luisa Jung për “Fables: The Hidden History of Neurodegenerative Diseases and a Blueprint to Conquer Them” nga Alberto Espay dhe Benjamin Stecher.

Vendi i parë për kopertinë libri: Kerry Hyndman për “The Rich House” nga Stella Gibbons. Puna e Hyndman-it është kryesisht dixhitale, që përfshin tekstura dhe shtresa të vizatuara me dorë për të shtuar thellësi dhe detaje. Juria e vlerësoi kompozicionin dhe vizatimin e bukur të Hyndman-it.

Vendi i dytë për kopertinë të librit: Lela Harris, “The Color Purple” nga Alice Walker.

Vendi i parë për gazetarinë e ilustruar: James Albon, ilustrim për Libération dhe La ZEP për një seri artikujsh të vitit 2021, të shkruara nga të rinjtë e botës së TikTok-ut, që flasin për përvojat e tyre për këtë platformë të mediave sociale, veçanërisht për efektet e saj hipnotike dhe negative në imazhin e vetvetes dhe për shëndetin mendor. Skena e frikshme e natës është krijuar me një gamë të kaltërt dhe të verdhë, me ngjyra uji dhe tempera. Juria e vlerësoi humorin dhe energjinë e veprës.

Vendi i dytë për gazetarinë e ilustruar: Alexis Tsegba për artikullin “The price of having black hair in a white world” nga Tamara Gilkes Borr, të botuar në revistën dixhitale The Economist.

Çmimi i parë për studentët ilustrues: Kate Rolfe, “Navigating Dyslexia”. Bazuar në përvojën e saj personale, ilustrimi kombinon proceset e cianotipit dhe shtypit për të komunikuar përvojën e një personi me disleksi. Juria e vlerësoi humorin, thjeshtësinë dhe zgjuarsinë.

Vlerësim i lartë për kategorinë e studentëve ilustrues: Jessica Ciccolone, “Five Puffins in Antarctica”.

Vlerësim për kategorinë e studentëve ilustrues: Klara Bianka Gryglicka për “My Summer – A Visual Diary”.

/Telegrafi/