LAJMI I FUNDIT:

Ç’kemi nga Oslo?

Ç’kemi nga Oslo?

Në popull është e njohur fjalia: “Mos bo çka boj unë, por bo çka të thom unë”. Me këtë thënie në të kaluarën i referoheshin hoxhallarëve të cilët i ndalonin disa gjëra për të tjerët e jo edhe për vete.

Kjo fjali është shumë aktuale edhe sot – jo më në botën e hoxhallarëve, por të politikanëve. Këtë e dëshmon deputeti i opozitës, Albin Kurti i VV-së, i cili përmes deklaratave luftënxitëse të tjerët i motivon për ta rrëzuar këtë pushtet, pa zgjedhur asnjë metodë, ndërsa vet qëndron në Oslo .


Albin Kurti e ka të lehtë të thërrasë për përmbysje të sistemit, sepse ai në çfarëdo situate mund të shkojë në Oslo me gruan dhe vajzën e tij. Ai e ka të lehtë të thërrasë për t’i dëmtuar institucionet, sepse në çfarëdo situate vajza dhe gruaja e tij janë me zero rrezik që mund t’u ndodh diçka e keqe. Albin Kurti e ka të lehtë të thërrasë për protesta të cilat në 90 për qind të rasteve janë të dhunshme, sepse gruaja dhe vajza e tij prapë janë me zero rrezik që mund të arrestohen nga Policia. Ndërsa, e ka të lehtë ta kundërshtojë edhe procesin e liberalizimit të vizave, sepse me disa shokë të tij mund të lëvizin lirshëm ku të duan.

Kur trumbeton me aq zell dhe me aq fuqi që ka se duhet të krijohet “Republika e tretë” e Kosovës, kjo nënkupton se nuk e njeh Republikën që ekziston dhe që “Republika e tretë” pa përmbysje të sistemit nuk mund të bëhet. Në anën tjetër, duke ditur se e ka të siguruar jetën në një shtet shumë të pasur, kjo s’është gjë tjetër pos hipokrizi.

Shumica e shqiptarëve, përfshirë veten time e familjen time, jetojmë në këtë vend me shumë probleme dhe sfida. Por, jemi këtu, jetojmë këtu dhe veprojmë këtu pa e ditur se çka na sjell e nesërmja. Shumica prej nesh nuk e kemi Oslon si vend rezervë, andaj jemi këtu për ta ndërtuar dhe zhvilluar këtë vend mbi bazën që e kemi e jo mbi bazën e shkatërrimit.

Shumica e shqiptarëve kanë vendosur ta ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve pikërisht në këtë vend, në këto shkolla, me këtë shëndetësi e këtë ekonomi. Prandaj, sot patriotizëm nuk është pushka po të qëndrosh në vendin tënd e ta duash atë edhe atëherë kur pritshmëritë tona mund të jenë në shpërputhje me arritjet.