Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, i është kundërpërgjigjur nënkryetares së parë të Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas deklaratës së kësaj të fundit se Lista Serbe mund të ketë informata për deputetë të partive të tjera.

Përmes një shkrimi në Facebook, Çitaku ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovës nuk ka arsye të frikësohet apo të shantazhohet nga Lista Serbe, pasi – sipas saj – kjo parti nuk ka bërë asnjëherë marrëveshje të fshehta me ta.


“Albulenë, Lista Serbe nuk ka si të na shantazhojë, sepse ne nuk kemi bërë kurrë marrëveshje të fshehta e të ndyra me ta, as kundër veteranëve, as pazare të dështuara për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Qëndrimi ynë është parimor, në mbrojtje të rendit kushtetues, të cilin ju e sfidoni pa fund. Ju mund të provoni ta relativizoni të vërtetën, por nuk mund ta fshini”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka akuzuar Vetëvendosjen se ka qenë vetë ajo që ka bërë “paktet e turpit”, duke cenuar besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore. “Në mungesë të shumicës për të ndërtuar qeverinë, po bëni taktizime fëminore”, ka shtuar Çitaku.

Ndërkaq, Haxhiu gjatë një paraqitjeje televizive sot ka thënë se Lista Serbe mund të ketë informacione komprometuese për deputetë të partive tjera, gjë që sipas saj shpjegon edhe heshtjen e opozitës përballë kësaj partie.