Deputetja dhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pas pjesëmarrjes së këtij të fundit në ceremoninë e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, ku ishte i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Në një reagim në Facebook, Çitaku ka konsideruar prezencën e Berishajt si fyerje dhe poshtërim për Kosovën dhe viktimat e gjenocidit, duke e quajtur pjesëmarrjen e tij si abuzim me dhimbjen dhe kujtesën historike.


“Albin Kurti ka shkuar në Srebrenicë për të përkujtuar gjenocidin serb mbi civilët e pafajshëm, nën shoqërinë e Martin Berishajt. Çfarë fyerje. Çfarë poshtërimi. Për Kosovën. Për viktimat. Për gjithë ata që luftuan për drejtësi dhe të vërtetën”, ka shkruar Çitaku në rrjetet sociale.

Ajo ka akuzuar Kurtin për spektakël hipokrizie, duke thënë se përpjekja për të rehabilituar një figurë të përfshirë në skandale të rënda përmes një ceremonie përkujtimore është, sipas saj, “arrogancë ndaj kujtesës historike”.

Martin Berishaj ka qenë për disa kohë në qendër të vëmendjes publike për shkak të dyshimeve për përfshirje në afera financiare./Telegrafi/