LAJMI I FUNDIT:

Çipi: Diktatura në Shqipëri ka filluar zyrtarisht më 15 mars

Çipi: Diktatura në Shqipëri ka filluar zyrtarisht më 15 mars

Regjisori Kastriot Çipi, shpreh indinjatën e tij për zhvillimet e sotme që kulmuan me shembjen e godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar.

“Për ta thënë shkurt, diktatura ka hequr maskën. Diktatura nuk është larguar kurrë, dhe kemi filluar nga diktatura komuniste në post-diktaturë, dhe po rrëshqasim në diktaturë të mirëfilltë nga momenti që Rama filloi të qeverisë vetëm“, thotë ai.

Çipi jep edhe një datë. “Nga 15 marsi jemi zyrtarisht në diktaturë sanitare, ku është shfuqizuar në praktikë neni 47 i Kushtetutës ku thuhet se liria e tubimit është e garantuar me ligj, e mundësuar nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese”.

Sipas regjisorit, vendimi i shembjes është “antikushtetues dhe në shpërfillje të çdo vendimi”, por sipas tij diçka që vjen nga larg. “Nxitimi është i lidhur me epshin e Ramës për pushtet. Janë 22 vjet që Rama i ka shpallur luftë Teatrit Kombëtar, qëkur ishte ministër i Kulturës”.

Gjykimi i tij për kryeministrin është i ashpër: “Unë them që arsyeja kryesore nuk është korrupsioni, se ai mund të vjedhë ku të dojë, nuk gjej arsye veç tradhtisë kombëtare, dhe urrejtjen ndaj çdo trashëgimie kombëtare”.

Regjisori kritikoi edhe reagimin e ndërkombëtarëve, sipas tij të vonuar.

“Ka një hipokrizi këtu, nuk mund të kërkohet dialog pasi arrihet rezultati i shembjes”, deklaroi Çipi. /A2/