LAJMI I FUNDIT:

Cincinnatus

Cincinnatus

Në një shesh të bukur të qytetit Sinsinati (Cincinnati), në shtetin amerikan të Ohajos (Ohio), rri krenare statuja e një burri që ia ka dhënë emrin e vet këtij qyteti. Atraktive, romantike dhe interesante… Megjithatë , Cincinnatus (kështu quhet kjo figurë historike), është përjetësuar nga skulptori teksa është në plug duke laruar tokën!

Përveç se bujk, Cincinnatus është sinonim i qytetarit shembullor, i udhëheqësit që i kryen detyrat ndaj vendit të vet, pa kushte dhe pa llogaritur rreziqet që i dalin. Por, edhe duke i injoruar përfitimet materiale që e grishin rrugës.


Kështu e sheh këtë romak të vjetër edhe Edward Snowden, ish-punonjësi i CIA-s që ka denoncuar survejimin më të madh digjital në histori dhe që nuk po gjunjëzohet nga pasojat. Në librin e Glenn Grenwaldit për Snowdenin, mësojmë se ky i fundit e ka kontaktuar këtë autor, nën pseudonimin “Cincinnatus”. D.m.th. duke aluduar, sado e parëndësishme të duket kjo, se sikur tribuni romak i lashtësisë, edhe ky si anonim, dëshiron të kryejë një obligim qytetar: dëshiron të bëjë diçka për të mirën e përgjithshme.

Po, kush ishte Cincinnatus-i?

Lucius Quinctius Cincinnatus ishte një patrik, një burrështetas dhe një udhëheqës i njohur ushtarak i Romës së shekullit të pestë para kohës së re. Për shkak të moralit të tij, ai është bërë figurë legjendare e virtyteve – jo vetëm të Perandorisë së tij, jo vetëm i shekullit të tij, jo vetëm i mileniumit të tij… Jeta e tij, principet e tij morale, modestia, mungesa e ambicies personale, atdhedashuria pa kushte, virtyti qytetar… kanë frymëzuar me shekuj njerëzit anembanë botës.

Çfarë e bënte të veçantë Cincinnatusin? Çfarë e bënte legjendare jetën e tij?

Historia na thotë se pas një kundërshtimi të dhunshëm nëpër rrugët e Romës – që kishte njërin nga protagonistët djalin e tij – Cincinnatusi kishte dhënë dorëheqje nga detyrat shtetërore dhe ishte tërhequr në fermën e vogël të tij. Punoi aty, përkundër moshës së shtyrë. Por, jo për një kohë të gjatë. Kur Roma u rrezikua nga jashtë, qytetarët e saj shkuan dhe e lutën që ta merrte kontrollin e plotë mbi shtetin dhe t’ju printe atyre. Cincinnatusi e bëri këtë, por pasi fitores, hoqi dorë nga pushteti dhe dhe u kthye sërish në fermë. Suksesi i tij dhe dorëheqja e menjëhershme nga pushteti gati absolut që ia solli përfundimi i luftës, është bërë model i shërbimit për të mirën e përgjithshme dhe virtytit qytetar.

Prandaj, figura e tij me plug, vazhdon të frymëzojë njerëzit të duan vendin e tyre pa kushte.

Deri këtu këto radhë i kam shkruar. Megjithatë, sikur kurrë më parë, shkrimi im po mbetet në gjysmë. Në modelin që e parapëlqej, tani do t’i vinte radha pjesës ku do ta bëja analogjinë me jetën tonë, me udhëheqësit tanë, me moralin tonë politik, me virtytet qytetare, me dashurinë dhe shërbimin pa kushte ndaj vendit….

Mirëpo, kot!

I kalova dy ditë në përpjekje për gjetjen e një shembulli, një modeli, një virtyti, një frymëzimi.

E s’e gjeta!

Në një shkrim të mëhershëm kam thanë: “…nuk ka vend për horra, që na thonë se kanë të gjitha veset e problemet e kësaj dynjaje, por ama janë patriotë të mëdhenj. Nuk ka vend për rebelët e sotëm që bëhën jakëbardhët më të ftohtë të së nesërmes. Nuk do të ketë vend për nacionalistët ekstremë që nesër bëhën kozmopolitë të skajshëm. Dhe, sigurisht, se nuk ka vend për ata njerëz që sot i japin Kosovës pak për t’i marrë asaj nesër shumë. Por, nuk do të humbim shumë nga kjo klasë: ata janë pakicë në këtë vend”.

Shkrimin për Cincinnatusin po e ndaloj këtu, me premtimin se do ta kompletoj sa më shpejt që është e mundshme.

Sapo, shqiptaria ta ketë një Cincinnatus.

Një!

Veç një!