LAJMI I FUNDIT:

Cili është fundi i lojës në Ukrainë?

Cili është fundi i lojës në Ukrainë?
Ilustrim

Stephen Blank

Megjithëse Kongresi i ShBA-së e ka shmangur poshtërimin e një mbylljeje tjetër të administratës shtetërore, si Kongresi ashtu edhe administrata e Joe Bidenit kanë dështuar të mbrojnë aleatët tanë dhe interesat kombëtare amerikane. Kongresi dështoi sepse nuk garantoi fondet e nevojshme për Ukrainën dhe Izraelin.


Edhe Administrata Biden dështoi, por jo vetëm sepse nuk siguroi fondet që u nevojiten të dy aleatëve tanë (në rastin e Ukrainës ka dëshpërimisht nevojë për to). Dështimi më i madh i administratës aktuale është se ajo vazhdon të ngurrojë t’i tregojë Kongresit, popullit amerikan dhe me shumë mundësi Ukrainës dhe aleatëve tanë të NATO-s, se cilat janë objektivat e saj për Ukrainën.

Megjithëse kundërshtimet e republikanëve për ndihmën ndaj Ukrainës janë të shumta, Administrata Biden nuk i është përgjigjur ende pyetjes vendimtare, se cilat janë qëllimet e saj në këtë vend. Po ashtu, ajo ka dështuar t’ia komunikojë këto synime publikut, një metodë kjo e provuar dhe e vërtetë për të fituar mbështetjen e këtij të fundit dhe për ta orientuar opinionin në favor të një misioni.

Përtej lënies në errësirë informative të publikut dhe Kongresit mbi politikën e administratës, mungesa e qartësisë e ka bërë misionin të prekshëm ndaj akuzave së Partisë Republikane, se ka pak shumë arsyetime për autorizimin e fondeve të reja për Ukrainën.

Tani për tani kemi një ngërç, që mund të dëmtojë më tej aftësitë e Ukrainës, madje edhe moralin e saj në fushën e betejës, ndërsa duart e administratës së Bidenit janë të lidhura prej disa javësh apo muajsh. Ky është një dështim i qartë i politikës, si dhe një dështim ndaj partnerëve dhe aleatëve tanë.

Kjo gjë po vonon dhe minon transferimin e fondeve dhe armëve thelbësore që Ukraina të mbijetojë, dhe lëre më pastaj të fitojë. Për më tepër, ajo po vë në pikëpyetje mbështetjen e vazhdueshme që Uashingtoni i ka dhënë Ukrainës deri në këtë pikë, si dhe besueshmërinë e ShBA-së si aleate.

Më në përgjithësi, kjo qasje e rrit frikën nga polarizimi i mëtejshëm i politikës amerikane, si në politikën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme. Ndërkohë, i vetmi përfitues i ngërçit që po pengon politikat koherente amerikane në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, është presidenti rus Vladimir Putin.

Dështimi për të vazhduar ndihmën, do të vërtetonte bindjen e përgjithshme se Perëndimit i mungon vullneti dhe forca e karakterit për t’i dalë në mbrojtje të Ukrainës. Në fakt, Vladimir Putini deklaroi kohët e fundit se pa mbështetjen amerikane, Ukraina do të rezistonte vetëm “1 javë”.

Më pas, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin konfirmoi se nëse Ukraina nuk merr ndihmën e Amerikës në vazhdim, ajo do ta humbasë luftën. Megjithatë, administrata e Bidenit, që padyshim i kupton pasojat nga ndërprerjes së ndihmës për Ukrainën, nuk e ka prezantuar ende planin në publik, dhe as nuk e ka bërë të qartë atë që e sheh si përfundimin e strategjisë së saj për Ukrainën.

Në këto rrethana, nuk është aspak i habitshëm që kundërshtimi i republikanëve ndaj financimit të Ukrainës bazohet ose në komunikimit e dobët të administratës ose fshihet pas tij si një pretekst. Sido që të jetë, Administrata Biden duhet ta trajtojë tani këtë çështje.

Ky problem, mund të shndërrohet në akuzën kryesore ndaj administratës së Bidenit në fushatën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Po ashtu, ai ngre pikëpyetje serioze në lidhje me kohezionin dhe dobinë e NATO-s si instrumenti kryesor për mbrojtjen e sigurisë evropiane.

Një arsye tjetër për të mos diskutuar objektivat tona në publik, mund të jetë frika e ekspozimit të objektivave të ndryshëm midis anëtarëve të NATO-s, që vetëm sa do të forconin dëshirën kokëfortë të Vladimir Putinit për ta zgjatur këtë luftë dhe për të vazhduar qëndrimin në pushtet.

Për të gjitha këto arsye, administrata e Bidenit duhet të hedhë të gjitha kartat e saj në tryezë dhe të krijojë mbështetjen e duhur publike për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës, në mos edhe të Izraelit. Po ashtu duhet të tregojë unitet midis zyrtarëve të saj dhe anëtarëve të tjerë të NATO-s.

Ajo duhet ta sigurojë elektoratin vendas dhe të huaj për kompetencën dhe vizionin e saj strategjik për Evropën. Vetëm duke siguruar mbështetjen publike, ajo mund t’i sigurojë Ukrainës armët dhe subvencionet që i nevojiten për të mbijetuar dhe për të parandaluar një ripërtëritje të fuqisë ruse, e cila nga ana tjetër, mund të çojë në kriza të mëtejshme në të gjithë globin, dhe me shumë gjasa në një luftë më të madhe dhe më të kushtueshme në Evropë.

Nëse kjo gjë nuk ndodh, vetëm sa do të zgjasë agonitë e Kievit, si dhe të vetë administratës Biden, në një kohë që do e thellojë në mënyrë të panevojshme polarizimin dhe grindjet brenda SHBA-së, si dhe pasigurinë ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, nëse vazhdon që të shmangë konsensusin e publikut, ai vendim mund të kontribuojë në refuzimin e këtij të fundit për t’i dhënë administratës një mandat të dytë, pasi tashmë është e qartë se po bie mbështetja publike për Ukrainën. /Burimi: The Hill/Përktheu dhe përshtati: Gazeta “Si”/