LAJMI I FUNDIT:

Cilat mund të jenë pasojat e ndalimit të importit të naftës ruse nga BE?

Cilat mund të jenë pasojat e ndalimit të importit të naftës ruse nga BE?

Bashkimi Evropian do të ndalojë shumë importe të naftës ruse, një sanksion agresiv dhe ndëshkues kundër Moskës. Por kjo mund të vijë me kosto të paparashikueshme për bllokun dhe pjesën tjetër të ekonomisë globale.

Të hënën, Bashkimi Evropian më në fund ra dakord për një embargo të pjesshme ndaj naftës ruse si pjesë e paketës së gjashtë të sanksioneve kundër Moskës për agresionin e saj në Ukrainë. Marrëveshja erdhi pas disa javësh “grindjeje”, kryesisht me Hungarinë.


Hungaria e pranoi më në fund atë, por vetëm pasi “e nxori veten (dhe dy vende të tjera)” nga ky ndalim për momentin, duke krijuar kështu një boshllëk në vendim, raporton Vox, transmeton Telegrafi.

Shumica e pjesës tjetër të Bashkimit Evropian do të vendosë një ndalim për dërgesat detare ruse të naftës së papërpunuar në gjashtë muajt e ardhshëm dhe produkteve të naftës të rafinuar (si benzina dhe nafta) në tetë muaj.

BE-ja ra dakord për një përjashtim (teorikisht të përkohshëm) për naftën që kalon përmes tubacionit jugor të Druzhbës, që do t’ia lejojë Hungarisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë të vazhdojnë të marrin naftë ruse për të ardhmen e parashikueshme.

Gjermania dhe Polonia marrin gjithashtu naftë nga dega veriore e tubacionit Druzhba, por të dyja kanë rënë dakord tashmë se do të heqin dorë nga këto importe deri në fund të vitit.

Ndryshe, edhe një ndalim i pjesshëm i BE-së për naftën ruse është një hap dramatik – një hap që dukej pothuajse i pamundur përpara se Rusia të niste luftën e saj.

Sipas Charles Michel, president i Këshillit Evropian, kjo embargo e BE-së do të prekë rreth 75 për qind të importeve të naftës ruse menjëherë dhe 90 për qind deri në fund të vitit.

BE-ja ka propozuar sanksione të tjera si pjesë e kësaj pakete, duke përfshirë një ndalim sigurimi për anijet ruse të naftës, gjë që do ta bëjë më të vështirë për Rusinë eksportin e produkteve të saj të naftës në mbarë botën.

Detajet teknike të paketës së sanksioneve janë duke u finalizuar dhe të 27 anëtarët e BE-së do të duhet t’i miratojnë zyrtarisht ato, me gjasë këtë javë.

Sipas shkrimit në fjalë, ndalimi i BE-së do të dëmtojë Moskën, e cila ka qenë në gjendje të përballojë disa nga presionet e sanksioneve duke vazhduar të eksportojë energjinë dhe lëndët e para.

BE-ja merr rreth një të katërtën e naftës së saj nga Rusia, e cila, në vitin 2021, nxori rreth 2.2 milionë fuçi në ditë në naftë të papërpunuar, sipas të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) të përpiluara nga Reuters.

Kjo embargo e BE-së do të zvogëlojë vëllimin e tregtisë dhe rrjedhën e parave midis Evropës dhe Rusisë – një tjetër pikë presioni kundër Moskës, pasi Perëndimi gjithashtu rrit mbështetjen e tij për Ukrainën me armë dhe financim.

Por kjo embargo do të sjellë edhe kosto për Evropën, veçanërisht kur bëhet fjalë rritje të çmimeve të energjisë.

Rusia mund të përshkallëzojë gjithashtu hakmarrjen e saj.

Ndërkohë nuk është vetëm Evropa.

Lufta në Ukrainë dhe sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë tashmë janë përcjellë me pasoja në të gjithë ekonominë globale.

Kjo mund të prekë pjesën tjetër të botës – veçanërisht vendet më të varfra, të cilat janë më pak të afta të absorbojnë goditjet e çmimeve më të larta të naftës.

Në të vërtetë, pas njoftimit të BE-së, çmimet e naftës u rritën në rreth 111 euro për fuçi.

“Është një gur i madh që hidhet në ujë dhe do të ndihet në të gjithë tregun e naftës”, vlerëson Georg Zachmann, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin Bruegel me qendër në Bruksel.

Evropa është gati të shkëputet nga një pjesë e naftës ruse

Në fillim të majit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen propozoi një ndalim gradual të të gjithë naftës dhe produkteve të naftës ruse.

“Le të jemi të qartë: nuk do të jetë e lehtë”, tha von der Leyen. “Disa shtete anëtare janë shumë të varura nga nafta ruse. Por ne thjesht duhet të punojmë për këtë”.

U deshën javë të tëra, derisa Bashkimi Evropian më në fund arriti një marrëveshje, raporton Vox, përcjell Telegrafi.

Hungaria ishte arsyeja pse vonoi kaq shumë marrëveshja.

Presidenti i Hungarisë, Viktor Orban, kërcënoi se do të bllokonte çdo sanksion të tillë, duke e quajtur çdo embargo energjetike një “bombë atomike” për ekonominë e saj. (Hungaria merr më shumë se 60 për qind të naftës dhe 85 për qind të gazit natyror nga Rusia).

Në realitet, ndërprerja e furnizimeve ruse të naftës është një “bombë atomike” për shumë ekonomi evropiane – kjo është arsyeja pse blloku kërkoi unanimitet për të ndërmarrë një hap të tillë.

Ajo që ndërmori BE-ja ishte një lloj vendimi një embargo ndaj naftës ruse që iu nënshtrua kërkesave të Hungarisë në mënyrë që Budapesti të mos e bllokonte të gjithën.

Ndalimi i Evropës vlen vetëm për naftën e transportuar me cisternë, megjithëse kjo përfaqëson rreth dy të tretat e importeve totale të naftës në Evropë.

Evropa merr rreth 750,000 deri në 800,000 fuçi naftë të papërpunuar në ditë përmes tubacionit Druzhba.

Dërgesat e naftës që rrjedhin përmes tubacionit janë të përjashtuara, kështu që Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia do të lejohen të vazhdojnë të marrin naftë ruse.

BE-ja ka thënë se ky përjashtim është i përkohshëm, por për momentin, ai është në fuqi për një kohë të pacaktuar.

Këto vende, të cilat janë pa dalje në det dhe të varura nga gazi i Rusisë, argumentuan se u duhet më shumë kohë “për t’u larguar” nga nafta ruse.

Hungaria, për shembull, po i kërkon gjithashtu Evropës më shumë para për të përmirësuar rafineritë e saj, në mënyrë që të mund të pranojnë naftë nga diku tjetër.

Europa nuk po shkëputet menjëherë nga nafta ruse.

Këto sanksione heqin gradualisht naftën e papërpunuar në gjashtë muajt e ardhshëm dhe produktet e rafinuara deri në fund të vitit. Kjo do t’i japë Evropës kohë për t’u përshtatur. Kjo gjithashtu do t’i japë Rusisë kohë për t’u përshtatur.

Ekspertët mendojnë se të ardhurat ruse nga nafta mund të rriten edhe në afat të shkurtër, me vendet që importojnë më shumë naftë nga Rusia përpara se të bëhet e paligjshme, dhe të grumbullojnë sa më shumë që të munden.

Cili është ndikimi në ndalimin e naftës në BE? Nuk e dimë plotësisht.

Brutaliteti i Rusisë, qëndrueshmëria e Ukrainës në mbrojtjen e demokracisë dhe sovranitetit të saj – e gjithë kjo, në mënyrë të jashtëzakonshme, ka ndryshuar llogaritjen në Shtetet e Bashkuara dhe Evropën mbi kompromiset që ata janë të gatshëm të përballojnë për të ndëshkuar Rusinë.

Kjo do të thotë inflacion dhe çmime më të larta të energjisë, në një ekonomi globale që po luftonte me të gjitha këto përpara agresionit rus të Ukrainës.

Ndërprerja e eksporteve të energjisë ruse është ajo që e dëmton Moskën. Por siç thotë Emily Holland, një asistente profesoreshë në Institutin e Studimeve Detare të Rusisë në Kolegjin e Luftës Detare të SHBA, Rusia është një eksportues i madh i naftës. Nëse Perëndimi përpiqet të frenojë eksportet e tij, ekziston rreziku për më pak naftë në tregun global.

“Fakti që Perëndimi po vazhdon të rrisë sanksionet, ata duan të sigurohen që nafta ruse të mos rrjedhë në shtetet e tjera, kjo do të vazhdojë të mbajë çmimin e naftës të lartë. Thjesht nuk ka asnjë rrugëdalje”, tha Holland.

Shumë do të varen nga vendi ku Evropa gjen rrugën për të zëvendësuar naftën ruse dhe nëse Rusia mund të gjejë blerës zëvendësues për naftën që zakonisht shkon në Evropë – vende si India, për shembull, raporton Vox, përcjell Telegrafi.

“Pyetja e madhe është: sa e pengojnë masat e BE-së naftën ruse, kundrejt thjesht detyrimit të saj të riorientojë rrjedhat diku tjetër”, thotë Ben Cahill, bashkëpunëtor i lartë për Programin e Sigurisë së Energjisë dhe Ndryshimeve Klimatike në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Dhe kështu që ne nuk e dimë ende përgjigjen për këtë pyetje”.

Kjo ekspozon dilemën e pakëndshme: ndoshta është më mirë për ekonominë globale nëse Rusia ende mund ta shesë naftën e saj, qoftë edhe me çmim të lirë.

Por nëse Rusia ende mund të shesë naftë, ajo ruan një burim të fortë për të financuar përpjekjet e saj të luftës në Ukrainë.

Nëse ndalimi i BE-së (së bashku me sanksionet e tjera, si ai për sigurimin e anijeve) bllokon Rusinë dhe zvogëlon sasinë e naftës së disponueshme në tregun global, kostoja do të rritet dhe kjo krizë e furnizimit do të ndikojë në SHBA dhe në Gjermani dhe pjesë të tjera të Evropës.

Por kjo do të dëmtojë gjithashtu vendet më të varfra, të cilat janë më pak të pajisura për të konkurruar në tregun global dhe që nuk kishin në të vërtetë ndikim në regjimin e sanksioneve. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Vrima e akullit në Antarktidë sa madhësia e Zvicrës vazhdon e rritet - shkencëtarët e zbulojnë pse

Vrima e akullit në Antarktidë sa madhësia e Zvicrës vazhdon e rritet - shkencëtarët e zbulojnë pse

Botë
A mund të ndikojë lufta në Ukrainë në marrëdhëniet franko-gjermane?

A mund të ndikojë lufta në Ukrainë në marrëdhëniet franko-gjermane?

Evropa
Cila është brigada më e fuqishme e Ukrainës të cilën pritet ta furnizojë Pentagoni?

Cila është brigada më e fuqishme e Ukrainës të cilën pritet ta furnizojë Pentagoni?

Botë
Avancon ushtria e Zelenskyt: Nga 24 sulme me dronë rusë në vijat e frontit, Ukraina rrëzon 23 prej tyre

Avancon ushtria e Zelenskyt: Nga 24 sulme me dronë rusë në vijat e frontit, Ukraina rrëzon 23 prej tyre

Botë
Macron tregon se në çfarë rrethana do të dërgonte trupa në Ukrainë

Macron tregon se në çfarë rrethana do të dërgonte trupa në Ukrainë

Evropa

"Po na djegin, ju lutem na ndihmoni", rusët nuk kanë zgjidhje për sulmet me dronë të ukrainasve

Evropa
Kalo në kategori