Chelsea përgatit revolucion në skuadër pas triumfit në Botërorin për Klube - 10 largime

Pas fitores në Kupën e Botës për Klube, Chelsea po përballet me një verë vendimesh të mëdha dhe ka nisur një riorganizim të thellë të skuadrës.
Me mbi një duzinë lojtarësh që pritet të largohen, objektivi i bordit është i qartë: të ulë presionin në dhomën e zhveshjes, të zvogëlojë faturën e pagave dhe të përshtasë ekipin me realitetet e reja taktike dhe financiare.
Joao Felix jashtë planeve
Vëmendja e merkatos është përqendruar te Joao Felix. Sulmuesi portugez, i cili i kushtoi Atletico Madridit afro 53 milionë euro, është kthyer në një lojtar të panevojshëm për “Blutë”.
Pas një huazimi të dobët te Milan dhe pa numër skuadre aktualisht, e ardhmja e tij duket larg Londrës. Benfica ëndërron rikthimin e tij, por kërkesat financiare mund të bëhen pengesë.
Nkunku dhe Sterling në listën e largimeve
Një situatë e ngjashme është edhe me Christopher Nkunku. Edhe pse shkëlqeu në disa ndeshje të Kupës së Botës për Klube, problemet me lëndimet dhe mungesa e vazhdimësisë kanë bërë që drejtuesit të hapin dyert për oferta.
Chelsea madje e ofroi Nkunkun te Manchester United për ta shkëmbyer me Alejandro Garnacho, por propozimi nuk u pranua.
Raheem Sterling, ndërkohë, nuk u ftua as në Kupën e Botës për Klube, një sinjal i qartë se trajneri Enzo Maresca nuk llogarit më në të.
Largimi i tij pritet të ndodhë në formë huazimi, me klubin që tashmë po shqyrton opsionet.
Lista e gjatë e largimeve
Chelsea ka një listë të gjatë lojtarësh që mund të largohen para mbylljes së afatit kalimtar. Ndër ta janë:
Ben Chilwell
Renato Veiga
Axel Disasi
Carney Chukwuemeka
Lesley Ugochukwu
Armando Broja
Nga akademia, talenti Tyrique George mund të huazohet për të fituar më shumë përvojë.
Sa i përket Kiernan Dewsbury-Hall, ai nuk është zyrtarisht në shitje, por klubi është i gatshëm të dëgjojë oferta të arsyeshme për të. /Telegrafi/













































