LAJMI I FUNDIT:

Çfarë do të thotë fitorja për Ukrainën dhe për Evropën?

Çfarë do të thotë fitorja për Ukrainën dhe për Evropën?
Foto: Gleb Garanich/Reuters

Nga: Orysia Lutsevych / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Për më shumë se dy muaj, Vladimir Putini dhunshëm është përpjekur ta fshijë nga harta e Evropës shtetin modern ukrainas. Kjo do të thotë se Ukraina duhet të fitojë. Në fakt, fitorja është e domosdoshme nëse kontinenti dëshiron të jetojë në paqe dhe të punojë bashkërisht për t’i përballuar sfidat globale.


Është e qartë se Putini nuk ia doli ta detyrojë Kievin të kapitullojë. Planet e Rusisë për ta asgjësuar Ukrainën dhe për të aneksuar më shumë territore të saj, e kanë vulosur vullnetin e Ukrainës për të luftuar dhe për ta fituar këtë luftë. Pra, duhet të pyesim: si duket në të vërtetë fitorja?

Së pari, për qeverinë e Ukrainës do të thotë që ushtria ruse të mposhtet në fushat e betejës së Donbasit dhe të shtyhet përsëri atje ku ishte para 24 shkurtit 2022. Ndërkohë, sondazhet tregojnë konsensus në lidhje me kthimin e Krimesë dhe Donbasit nën kontrollin e Kievit, si dhe kundërshtimin e armëpushimit me Rusinë derisa ajo nuk i tërheq plotësisht trupat e saj.

Ajo që nevojitet është krijimi i një forumi diplomatik efektiv për të negociuar për tërheqjen e mëtejshme ruse nga pjesët e pushtuara të Donbasit, një zgjidhje për të ardhmen e Krimesë, kompensimi financiar për dëmin që ka shkaktuar, ndjekja penale e individëve që kanë kryer krime lufte (Prokurori i Përgjithshëm i Ukraina tashmë ka regjistruar më shumë se tetë mijë raste të dyshuara), perspektivën e anëtarësimit në BE për Ukrainën dhe krijimin e forcave të armatosura të qëndrueshme – kompatibile me të NATO-s që mund ta mbrojnë vendin me një koalicion kombesh të gatshme për këtë.

Si do të dukej humbja? Thënë thjesht, çdo gjë që rezulton me vlim afatgjatë të konfliktit dhe që e mbyll Ukrainën në zonën gri të paqëndrueshmërisë. Është i papranueshëm rezultati jopërfundimtar që ende ia jep Rusisë mundësinë për të pushtuar dhe për të aneksuar më shumë territore. Kremlini po e planifikon aneksimin e ri të një rajoni të Khersonit me emrin Tavria Veriore. Njohja zyrtare nga Kievi e përfitimeve territoriale të Putinit përmes armëve, do të çonte në vdekjen politike të Volodymyr Zelenskyt dhe do ta rrezikonte më tej shtetin ukrainas.

Fitorja nuk do të jetë e lehtë, por ukrainasit gjithnjë e më shumë besojnë se mund ta arrijnë. Ky besim, i cili dukej si çmenduri në fillim të luftës, është vërtetuar nga suksesi luftarak dhe mobilizimi total i shoqërisë ukrainase. Kjo i ka bindur aleatët kryesorë perëndimorë se “Ukraina mund të fitojë”. Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, deklaroi me vendosmëri se “do të vazhdojmë më tej dhe më shpejt për ta larguar Rusinë nga gjithë Ukraina”.

Objektivat e Ukrainës përkojnë me ato të aleatëve të saj. Për më tepër, këto synime tani mbështeten nga një Akt i miratuar rishtazi për Huadhënien për Mbrojtjes së Demokracisë së Ukrainës, sipas të cilit qeveria amerikane do të ndajë 33 miliardë dollarë, kryesisht për mbështetje ushtarake. Koalicioni prej 40 vendeve ka krijuar një grup të përhershëm këshillues të mbrojtjes për ta koordinuar këtë ndihmë.

Ukraina duhet ta mposht Rusinë në atë që, në fund të fundit, duhet të konsiderohet luftë koloniale. Rivendosja e integritetit territorial të Ukrainës dhe paqja përfundimtare do të nënkuptojë shembjen e putinizmit si doktrinë dhe fundin e pretendimeve ruse për dominim territorial diku tjetër në Evropën Lindore dhe në Azinë Qendrore. Duke dëshmuar se “mbledhja e tokave historike ruse” është e gjykuar të dështojë, kjo është e vetmja bazë solide për paqen dhe për sigurinë e qëndrueshme në Evropë.

Fitorja e Ukrainës gjithashtu do t’i parandalonte luftërat e ardhshme. Rusia i përdor territoret e pushtuara rishtazi për të organizuar konflikte të mëtejshme. Krimea e aneksuar ishte e domosdoshme për operacionin e saj ushtarak në Siri dhe tani për sulmet e saj në Mariupol dhe në Kherson. Njësia e shkëputur e Transnistrisë në Moldavi, e mbështetur për dekada nga Rusia, de facto është depo armësh me një bazë ushtarake që mund të përdoret për ta sulmuar Odesën. Bjellorusia tashmë po përdoret për të lëshuar raketa drejt Kievit.

Të mos harrojmë se po flasim edhe për sistemin ushqimor të botës. Fitorja e Ukrainës do ta zvogëlonte rrezikun e një zie masive. Heqja e sanksioneve si përgjigje ndaj tërheqjes të plotë ruse nga Ukraina, do të çonte gjithashtu në një ekonomi më të qëndrueshme dhe të parashikueshme ruse. Ukraina dhe Rusia janë furnizuesit vendimtarë të ushqimit në pjesën më të madhe të jugut global. Në disa vende, si Somalia, Rusia dhe Ukraina përbëjnë 100 për qind të importeve të grurit. OKB-ja parashikon që 8-20 milionë njerëz do të mbesin tani të uritur nga efektet e dëmshme të rritjes së çmimeve dhe të zinxhirëve të prishur të furnizimit për drithërat, për vajin e gatimit, për plehrat dhe për karburantet.

Zgjidhja e problemit të kësaj lufte, në mënyrë të qëndrueshme, do të thotë se miliona ukrainas do të jenë në gjendje të kthehen në shtëpi, duke e hequr barrën e kujdesit nga vendet që i mirëpresin ata. Më shumë se pesë milionë njerëz janë të shpërndarë nëpër qytetet evropiane dhe fatura për mbështetjen e tyre është 17 miliardë euro. Shumica mezi presin të kthehen në shtëpi. Dhe, Ukraina ka nevojë për këta njerëz për modernizimin e saj të ardhshëm dhe për rritjen ekonomike.

Rezultati i kësaj lufte ose do të çojë drejt një të ardhmeje më të ndritur ose do të zhysë miliona njerëz në luftë dhe mjerim – jo vetëm në Ukrainë. Kjo është arsyeja pse duhet t’ia japim Ukrainës shansin për të fituar. /Telegrafi/