Çfarë duhet të dimë për të jetuar shëndetshëm? Flet nutricionisti sportiv, Agron Rexhepi

Në episodin e 62-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, mjeku dhe nutricionisti sportiv Agron Rexhepi foli gjerësisht për ushqimin, kequshqyerjen, balancimin e peshës trupore dhe ndikimin e faktorëve psikologjikë në shëndetin tonë.
Gjatë bisedës, Rexhepi theksoi se ushqimi nuk është thjesht “karburant” për trupin, por një faktor kyç që ndikon drejtpërdrejt në energji, humor, funksionimin hormonal dhe shëndetin afatgjatë.
- YouTube www.youtube.com
Sipas tij, shumë probleme shëndetësore nuk shfaqen brenda natës, por janë rezultat i viteve të tëra të kequshqyerjes dhe keqmenaxhimit të stilit të jetesës.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua balancimit të makronutrientëve – karbohidrateve, proteinave dhe yndyrave – ku u theksua se asnjë ekstrem nuk është i shëndetshëm.
Rexhepi tha se dietat e bazuara vetëm në mish apo humbja e shpejtë e peshës mund të shkaktojnë dëmtime serioze në organizëm, përfshirë dhjamosjen e mëlçisë dhe probleme metabolike.
Rexhepi foli edhe për konsumin e mishit, duke rekomanduar që ai të mos jetë pjesë e përditshme e çdo vakti, ndërsa theksoi rëndësinë e drithërave integrale, pemëve dhe perimeve si bazë e ushqimit të shëndetshëm.
Për më shumë shikoni podcastin “Shëndeti në rend të parë”. /Telegrafi/




















































