Me çekiçë e armë u futën në galerinë e artit në Holandës, hajnat largohen me stoli ari – policisë nuk i duhet shumë kohë që t’i prangosë
Një grup i hajnave të armatosur dhe të veshur bukur, u futën në mes të ditës në një galeri arti në jug të Holandës në qytetin Maastricht, ku përdorën çekiçë për të thyer raftet e stolive të arit para se të largoheshin nga vendi i ngjarjes.
Megjithatë ata nuk shkuan edhe aq larg, pasi policia holandeze njoftoi se ka arrestuar dy të dyshuar dhe janë në kërkim të dy tjerëve, që akuzohen për vjedhje që i tmerroi vizitorët e galerisë së artit TEFAF, transmeton Telegrafi.
Mediat holandeze raportojnë se cak i vjedhjes ishin stolitë me diamante, dhe gjësende tjera nga argjendaria Symbolic and Chase me seli në Londër.
Videoja amatore shfaq katër të dyshuar, që kërcënonin vizitorët me armë – ku pasi e kryen “misionin” u larguan me atë për çfarë kishin ardhur.
Të dyshuarit shihen duke goditur raftet e xhamit me çekiçë në prezencë të vizitorëve të shumtë, që mbetën të shokuar me atë çfarë po shihnin.
Por policisë nuk iu desh shumë kohë që t’i lokalizojë dy prej tyre, dhe t’i prangosë në periferi të qytetit ku ndodhi vjedhja. /Telegrafi/





























