LAJMI I FUNDIT:

Çekia numëron sukseset e Presidencës me BE, një prej tyre Kosova

Çekia numëron sukseset e Presidencës me BE, një prej tyre Kosova

Në fund të këtij muaji, Republika Çeke përfundon presidencën e saj të radhës me Bashkimin Evropian. Krahas luftës në Ukrainë, Ballkani Perëndimor ishte gjithashtu në krye të axhendës së këtij vendi.

Udhëheqësit e BE-së ranë dakord për dhënien e statusit të vendit kandidat për Bosnje-Hercegovinën, liberalizimin e vizave për Kosovën dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.


Tani, Suedia, vendi i radhës i Presidencës së BE-së, që merr kryesimin me 1 janar deri me 30 qershor,  përcaktoi katër qëllime.

Ato janë ruajtja e unitetit evropian dhe forcimi i sigurisë, tranzicioni i gjelbër, politika energjetike, pastaj forcimi dhe ruajtja e konkurrencës evropiane  dhe rëndësia e vlerave evropiane, demokracia dhe sundimi i ligjit.

Për rezultatet e Presidencës Çeke, nëse ka vullnet për të mbajtur zgjerimin lart në axhendën e BE-së, si dhe cilat duhet të jenë prioritetet në procesin e anëtarësimit me rajonin, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke,  Martin Košatka, ka dhënë intervistë për portalin ‘European Western Balkans’, transmeton RTK.

Ai tha se gjithçka ndryshoi me agresionin rus kundër Ukrainës.

“Ne duhej të bënim korrigjime vërtetë të rëndësishme në prioritetet e Presidencës sepse duhej të merreshim me çështje si ndihma për Ukrainën, sanksionet ndaj Rusisë apo situata në sektorin energjetik të Bashkimit Evropian. Këto probleme u shfaqën dhe ne duhej t’i inkorporonim si prioritetet më të larta të Presidencës”, tha Košatka në këtë intervistë nga Praga .

Por megjithatë, ai tha se Ballkani Perëndimor mbeti prioritet ashtu siç ishte planifikuar para agresionit rus në Ukrainë. “Në fakt, ne kishim tre synime kryesore konkrete për Presidencën”, sqaroi ai.

“Së pari, kemi pasur një samit të mirë BE-Ballkani Perëndimor – i mbajtur për herë të parë në rajon, në Tiranë. Si Bashkimi Evropian, jo vetëm që kemi rikonfirmuar angazhimin tonë për integrimin e Ballkanit Perëndimor, por kemi bërë thirrje edhe për përshpejtimin e procesit të zgjerimit. Kemi mbajtur IGC me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Bosnja dhe Hercegovina ka marrë statusin e kandidatit për antarësim në BE kurse Kosova liberalizimin e vizave. Për më tepër, Kosova ka paraqitur kërkesë për anëtarësim në BE”, rikujtoi numri dy i diplomacisë çeke.

Kohë më parë,  ambasadori çek në Serbi, pati deklaruar se një nga qëllimet e Presidencës çeke ishte hapja e një grupi temash për negociata me Serbinë, në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE,  por kjo nuk ndodhi.

Në këtë pikë, zëvëndësministri Košatka shpjegon arsyen.

“Jo, për fat të keq, nuk ka pasur një debat të vërtetë për këtë. Sigurisht, gjithmonë keni disa diskutime teknike. Por, të them të drejtën, atmosfera nuk është e favorshme për hapjen e kapitujve të rinj me Serbinë”, shpjegoi ai, duke rikujtuar së paku tre arsye.

“E para, nuk ka përparim në fushën e sundimit të ligjit. E dyta, nuk ka përparim në dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë. Dhe e treta është niveli shumë i ulët i harmonizimit të politikës së jashtme serbe me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Ky është një problem madhor që po bëhet gjithnjë e më i madh”, tha ai.

Sipas zëvëndësministrit çek të Punëve të Jashtme, ky problem ishte pothuajse dytësor, disa kohë më parë, krahasuar me dy të mëparshmet.

“Por me agresionin rus, ajo është bërë një çështje parimore dhe tani Bashkimi Evropian do të insistojë realisht në harmonizimin me politikën e vet të jashtme dhe atë të Serbisë”.

Ai tha se ekziston një ndjenjë e përbashkët në Bashkimin Evropian se duhet t’u jepët shans vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Sidoqoftë, ata duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë”.

Diplomati çek tha se është e qartë se atmosfera ka ndryshuar pas agresionit rus dhe se BE-ja dëshiron të tregojë se me të vërtetë kujdeset për rajonin.

“Nuk bëhet fjalë për punë të palodhur dhe rezultate të mira të një Presidence, por për vullnetin e përgjithshëm të BE-së”.

I pyetur për atë që ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë kur ka përmendur se Presidenca Çeke nuk do të merret me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE, zëvëndësministri i Punëve të Jashtme të Çekisë ka deklaruar se çdo Presidencë pritet të bëjë atë që është e nevojshme.

“Duke pasur parasysh datën kur Kosova vendosi të dorëzojë aplikacionin (15 dhjetor), nuk patëm kohë të bënim më shumë sesa të informonim ambasadorët e BE-së të shteteve anëtare se Kosova kishte dorëzuar aplikacionin. Presidencës së ardhshme suedeze do t’i takojë të fillojë konsultimet me shtetet anëtare”.

Në trend Lajme

Më shumë
​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

Siguri
Kurti përmendi Thaçin në 11 vjetorin e marrëveshjeve në Bruksel, reagon Çitaku: E di që po të mungon, duro dhe pak - dielli do të lind përsëri

Kurti përmendi Thaçin në 11 vjetorin e marrëveshjeve në Bruksel, reagon Çitaku: E di që po të mungon, duro dhe pak - dielli do të lind përsëri

Lajme
SHBA-ja synon ta

SHBA-ja synon ta "fortifikojë" Ballkanin Perëndimor

Lajme
Osmani: Do ta njoftojë qeverinë për sulmin në Banjskë, pastaj do të vendoset për Ballkanin e Hapur

Osmani: Do ta njoftojë qeverinë për sulmin në Banjskë, pastaj do të vendoset për Ballkanin e Hapur

Politikë
Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia të mërkurën do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia të mërkurën do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Siguri
Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, Kurti: Në këtë 11-vjetor shteti serb në Peshter të Sanxhakut do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë

Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, Kurti: Në këtë 11-vjetor shteti serb në Peshter të Sanxhakut do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë

Lajme
Kalo në kategori