LAJMI I FUNDIT:

Çaushi: Deklarata e Edita Tahirit, skandaloze

Çaushi: Deklarata e Edita Tahirit, skandaloze

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi ka thënë se deklarata e Edita Tahirit, në lidhje me të pagjeturit është skandaloze.

Sipas Çaushit, deklarata e Tahirit, se Kosova nuk i ka listat me të gjithë emrat e personave të pagjetur nuk është e vërtetë.


Këto komente Nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi i bëri përmes një statusi në profilin e tij të rrjetit social Facebook, duke shtuar se në saje të deklaratës së sotme të Ministres për Dialog, Edita Tahirit, është kuptuar që për çështjen e të pagjeturve është diskutuar vetëm njëherë.

Për më shumë lexoni statusin e plotë të Çaushit:

“Edita Tahiri sot ka lëshuar deklaratë skandaloze lidhur me të pagjeturit.

Ajo pa fijen e turpit ka ofenduar rëndë familjarët e të pagjeturve duke mashtruar hapur se Kosova nuk i ka listat e personave të zhdukur në luftë dhe se kjo është arsyeja që kjo çështje ka mbetur pa u trajtuar në negociatat me Serbinë.

Si pikë e parë, zyrtarët qeveritarë gjithmonë kanë deklaruar se problemi i të pagjeturëve është preokupim i tyre dhe se do ta adresojnë në negociata. Me deklaratën e Tahirit sot po e kuptojmë që për këtë çështje është diskutuar vetëm njëherë në negociata dhe atë në vitin 2011.

Së dyti, nuk është e vërtetë që Kosova nuk i ka listat me emrat e personave te pagjetur. Janë 1650 persona të pagjetur, shifër e cila është konfirmuar nga organizata vendore e ndërkombëtare.

Ne nuk mund dhe nuk duhet të besojmë që me Edita Tahirin dhe sojin e saj mund të ketë negociata parimore me Serbinë, përderisa këta qeveritarë tallen edhe me të pagjeturit”, ka përfunduar Çaushi, njofton Klan Kosova.