Casemiro lë mënjanë rivalitetin: Salah e meriton Topin e Artë

Mesfushori i Manchester United, Casemiro ka habitur me zgjedhjen e tij për fituesin e Topit të Artë 2025, duke lënë mënjanë rivalitetin historik me Liverpoolin dhe duke përmendur emrin e Mohamed Salahut.
“Për mua është shumë e vështirë. Por në këtë moment, sipas mendimit tim, është Salah. Ai është lojtari më i mirë për shkak të ndikimit të tij në lojë,” tha braziliani për “British GQ”.
Casemiro vlerësoi lartë aftësitë vendimtare të egjiptianit.

“Shënon shumë, asiston shumë. Mendoj se Liverpooli nuk e fitoi këtë trofe, si për shembull Liga e Kampionëve, sepse Salah ra pak në pjesën e dytë të sezonit. Por për mua, lojtari më i balancuar gjatë gjithë sezonit është ai”.
Deklarata e tij është pritur me shumë interes, duke qenë se Casemiro është simbol i United, ndërsa Salah një nga ikonat e rivalit të përjetshëm Liverpool.
Megjithatë, ky vlerësim e forcon edhe më shumë pozitën e sulmuesit afrikan si një nga kandidatët kryesorë për çmimin më prestigjioz individual në futboll./Telegrafi/



















































