Casemiro, i cili pritet të largohet nga Manchester United gjatë afatit kalimtar të verës, i ka sugjeruar klubit anglez emrin e Bruno Guimaraes si një zëvendësues të mundshëm në mesfushë.

Këtë e ka bërë të ditur gazetari Ben Jacobs, duke shpjeguar se braziliani e ka ngritur këtë ide brenda klubit.


Sipas Jacobs, Guimaraes mund të largohet nga Newcastle dhe nuk do ta kishte problem të vazhdonte karrierën brenda Ligës Premier.

Ai theksoi se mesfushori ka qenë gjithmonë i hapur ndaj një transferimi të mundshëm brenda Anglisë, pavarësisht imazhit publik si një lojtar shumë besnik ndaj Newcastle.

“Është e vërtetë që Casemiro e ka përmendur Bruno Guimaraes te Manchester United. Nëse ai largohet nga Neëcastle, nuk do ta kishte problem të qëndronte në Ligën Premier”.

“Ai ka qenë gjithmonë i hapur për një lëvizje të mundshme brenda Anglisë, edhe pse publikisht është parë si një lojtar shumë i pasionuar dhe besnik ndaj klubit”, u shpreh Jacobs.

Ai shtoi gjithashtu se aktualisht ka më shumë zhvillime konkrete rreth interesimit për Sandro Tonali, ndërsa Elliot Anderson vazhdon të mbetet objektivi kryesor i Manchester United nëse klubi arrin ta transferojë.

Këtë sezon, Bruno Guimaraes ka zhvilluar 35 ndeshje në të gjitha garat, duke regjistruar nëntë gola dhe gjashtë asistime./Telegrafi/

telegrafi sport app