Fundi i ndeshjes mes Barcelonës dhe Oviedos në “Camp Nou” u shndërrua në një skenë të pazakontë, ku protagoniste nuk ishte asnjë nga lojtarët, por një stuhi e fuqishme që goditi qytetin katalanas.

Një rrebesh i rrëmbyeshëm shiu, i shoqëruar edhe me breshër, përfshiu Barcelonën, ndërsa reshjet intensive të shiut shkaktuan përmbytje në disa pjesë të stadiumit të rinovuar.


Pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan qartë rrjedhje uji në zona të ndryshme të “Camp Nou”-s, me tribunën e shtypit që rezultoi më e prekura.

Në videot e shpërndara, uji shihet duke rrjedhur nga tavani dhe duke u derdhur mbi shkallët e tribunave, çka e bëri tepër të vështirë punën e gazetarëve dhe stafit teknik të pranishëm në stadium.


Shkaku kryesor i këtyre problemeve lidhet me faktin se çatia e stadiumit ende nuk është përfunduar, pasi punimet e rinovimit janë ende në proces. Për shkak të mungesës së një strukture të plotë mbrojtëse, zona e shtypit mbeti plotësisht e ekspozuar ndaj stuhisë, duke përfunduar e përmbytur.

Kujtojmë se Barcelona ka marrë një kredi prej 1.45 miliardë eurosh për projektin e rindërtimit të “Camp Nou”-s, ndërsa borxhi total i klubit vlerësohet rreth 2.5 miliardë euro. Rinovimi synon modernizimin e stadiumit dhe garantimin e stabilitetit afatgjatë financiar të klubit.


Megjithatë, pamjet e fundit nga kjo ndeshje tregojnë se projekti ambicioz vazhdon të përballet me sfida dhe se puna drejt një “Camp Nou” plotësisht funksional ende nuk ka përfunduar. /Telegrafi/

telegrafi sport app